Arbëri

Kampanjë në Viti për vetëdijesimin e nxënësve për ruajtjen e mjedisit

Organizata “Let’s Do It”, në bashkëpunim me Komunën e Vitisë, sot kanë lansuar kampanjën edukative mjedisore “Ngritja e kapaciteteve të nxënësve në fushën e edukimit mjedisor”, përmes së cilës synohet që të krijohet një kulturë e re mjedisore për gjeneratat e reja.

Lansimi i kësaj kampanje u bë në Shkollën “Dëshmorët e Vitisë”, nga përfaqësues të “Let’s Do It” dhe kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti dhe drejtoresha e Arsimit në këtë Komunë, Fatbardha Emini, me ç’rast u shpjegua para nxënësve rëndësia e këtij projekti.

Përveç lansimit të kampanjës, vullnetarë të “Let’s Do It”, në bashkëpunim me përfaqësues komunalë dhe nxënës, kanë mbajtur një aksion simbolik, ku u larguan dhjetëra thasë me mbeturina përreth hapësirave të Shkollës “Dëshmorët e Vitisë”.

Drejtori ekzekutiv i “Let’s Do It”, Luan Hasanaj, u ka bërë thirrje edhe komunave të tjerë, përveç asaj të Vitisë, që të angazhohen maksimalisht në çështjet mjedisore dhe të punojnë më shumë me nxënës të shkollave, në mënyrë që ata të vetëdijesohen për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit të pastër.

“Ne do të bashkëpunojmë në fushën e edukimit mjedisor sepse konsiderojmë se bazamenti i gjithçkaje fillon nga këtu. Dhe kur fillojmë t’i edukojmë brezat për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit atëherë Kosovën do ta kemi më të pastër, sepse nga këtu buron gjithçka. Për fatin e keq kemi shumë shembuj që hapësirat jashtë shkollave nuk mirëmbahen. Fëmijët edukohen si me i mirëmbajt hapësirat përreth shkollës dhe brenda oborrit të shtëpisë t’i mbajnë pastër, por jo jashtë tyre. Nuk është që deri më tani kemi parë aktivitet se duhet të kujdesemi edhe për hapësirën jashtë saj. Kjo që po ndodh në Viti është një shembull i mirë se si duhet të vazhdojë tash e tutje. Komunat dhe shkollat do të jenë më të angazhuara dhe do të kontribuojnë direkt në këtë. Dhe me këtë, hapësira publike do të mirëmbahet”, ka thënë Hasanaj.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka thënë se Komuna që ai udhëheq ka shpallur vitin 2019, vit të ambientit dhe se për gjithë këto aktivitete do të vazhdojë bashkëpunimin me “Let’s Do It”.

“Është bashkëpunim jo vetëm i tanishëm me ‘Let’s Do It Kosovën’, meqë edhe vitin e kaluar kemi bashkëpunuar, pasi edhe më 2018 kemi punuar shumë në aspektin mjedisor. 2019 e kemi shpall vit të ambientit do të vazhdojmë me kalendarin tonë komunal për bashkëpunime tjera e sidomos me ‘Let’s Do It Kosovën’. Sot po fillojmë një projekt të ri, një kampanjë vetëdijesimi mjedisor dhe ambiental në shkolla. Do të punojmë në 20 shkolla fillimisht por do të zgjerojmë bashkëpunimin dhe kjo është përgatitje e gjeneratave të reja për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit. Na nevojiten shumë shporta, edhe vetëdije për gjenerata të reja mbjellja e drunjve edhe dekorative dhe frytdhënëse, hapësira të gjelbrat, alternativa tjera që rinia mund të shfrytëzojnë sidomos rinia shkollore”, ka thënë Haliti.

Drejtoresha e Shkollës, “Dëshmorët e Vitisë”, Fatbardha Emini tha se këtë vit është viti i Komunës së Vitisë sa i përket fushës së ambientit.

Ndërkohë, profesori Alban Hyseni, ka thënë se periudha implementuese e këtij pilot projekti është nëntë mujore, ndërsa ka për qëllim ngritjen e vetëdijes për një mjedis të pastër.

Po ashtu, sot në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Dëshmorët e Vitisë” ora e parë e mësimit i është kushtuar rëndësisë së ruajtjes së mjedisit.

Në kuadër të kësaj kampanje dhe këtij projekti që u lansua sot parashihet përfshirja e 20 shkollave të Komunës së Vitisë.