Arbëri

Kamionë dhe autobusë nga Kosova nuk po lejohen të kalojnë nëpër Serbi

Pikëkalimet kufitare në Jarinjë, Bërnjak dhe Merdar vazhdojnë të mbesin të bllokuara për kamionë dhe autobusë. Pika kufitare në Merdar ishte pak e frekuentuar të martën, pasi lejohen të kalojnë vetëm veturat. Në territorin e Serbisë, pak kilometra larg Merdarit, serbët kanë ngritur barrikadë duke mos lejuar kalimin e autobusëve dhe kamionëve nga Kosova, ndërkohë me vendim të Qeverisë, kamionët me mallra të Serbisë nuk po lejohen të futen në Kosovë

Asnjë kamion dhe autobus nga Kosova nuk e ka kaluar pikën kufitare në Merdar gjatë të martës.

Disa që e kaluan këtë pikë kufitare mbrëmjen e së hënës janë kthyer mbrapshtë, meqë qytetarët serbë kanë vendosur barrikadë në Rudar, 20 kilometra nga kufiri i Kosovës.

Selim Gjelovci, që është nisur për Slloveni për të dërguar një kamion me mallra, ka mbetur andej kufirit i bllokuar.

“Rruga ka qenë e bllokuar na dhe autobusët e Zhitisë janë kthyer mbrapa dhe nuk kemi pasur ndonjë problem. Te pompa e benzinit në hymje është e bllokuar, diku nja 20 kilometra. Janë kthyer edhe të Shqipërisë dhe krejt”, tha Gjelovci.

Por, pengesa nuk pati për ata që hynin e dilnin me vetura në këtë pikë kufitare, ani se fluksi i atyre që shfrytëzuan këtë pikë të martën ishte i vogël.

Adem Rrahmani, mërgimtar, ka thënë se nuk do ta shfrytëzojë këtë pikë kufitare për t’u kthyer në Gjermani shkaku i tensioneve.

“Ne kemi ardhur para tri ditësh dhe kemi kaluar kufirin prej Kroaci Mal të Zi Shqipëri dhe kemi ardhur këtu. Arsye pas qrregullimeve për të mos rrezikuar kemi vendosur ashtu, por tash kemi pas tri ditësh të kthehem dhe prap andej duhet të shkojmë për shkak se këndej nuk mundemi dhe për arsye më mirë të shkojmë ka kemi ardhur”, tha Rrahmani.

E rreth 30 kamionë me targa të Kosovës, por me mall nga Serbia, vazhdojnë të qëndrojnë pranë pikës kufitare në Merdar për shkak të vendimit të Qeverisë për të mos i lejuar të futen brenda territorit të Kosovës.

Valon Topalli, që ka ngarkuar kamionin me grurë nga Serbia, tha se ka mbetur pa mbrojtje në territorin e Serbisë.

“Ne si qytetarë të Republikës nuk kemi asnjë mbrojtje që kemi mbetur në territorin e Serbisë, i kemi bërë apel që të paktën brenda të na lejojnë që të hyjmë në terminal sepse jemi të rrezikuar në kolonë aty që nga dita e mërkurë, situata po shkon duke u përkeqësuar dhe nuk merr masa askush. Qysh nga mbrëm është bllokuar edhe rruga në Rudare nga ana e Serbëve dhe tash kemi mbetur as andej as këndej”, tha Topalli.

Përveç Merdarit, edhe dy pika të tjera kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak janë të bllokuara për kamionë dhe autobusë.

Të hënën, nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës bënë thirrje që të gjithë ata që kanë hyrë në territorin e Serbisë dhe po udhëtojnë drejt Kosovës t’u drejtohen pikave kufitare në Mutivodë dhe Dheu i Bardhë ose të marrin rrugë përmes Maqedonisë së Veriut.

Situata është tensionuar pas rrëmbimit të tre policëve kufitarë të Kosovës nga forcat serbe, për çka Qeveria vendosi masa shtesë sigurie.