Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nuk do t’i plotësojë kërkesat e shqiptarëce në Luginën e Preshevës derisa bashkësia ndërkombëtare të ushtrojë presion më të madh lidhur me këtë temë.
Sipas tij, Beogradi nuk tregon vullnet politik që çështjes së shqiptarëve në Luginë t`i qaset në mënyrë serioze.
“Kërkesa jonë bazë është plani 7 pikësh me gjithë komponentët e tij. Vuçiqi nuk dha ndonjë shpresë të caktuar se do të mund të bëhet, komenti i tij ishte se do të na duhen konsultime me partnerët ndërkombëtarë lidhur me realizimin. Duhet të potencohet se kemi të bëjmë me një dokument, i cili nga Qeveria e Serbisë është aprovuar me 4 qershor, 2013”, ka thënë Kamberi për RTK-në, derisa ka folur për takimin që ka pasur me Vuçiqin, ku i ka dorëzuar një listë me kërkesa.
Ai ka thënë se Bashkimi Evropian po e përkëdhelë Vuçiqin, gjë që po e liron atë nga përgjegjësitë.
"Përkëdhelja, e posaçërisht që Bashkimi Evropian po ia bën presidentit serb, po e liron atë nga përgjegjësia e realizimit të tre marrëveshjeve që ka me shqiptarët", është shprehur Kamberi.
Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë ka deklaruar se nuk janë të interesuar të jenë pjesë e Qeverisë dhe kjo gjë sipas tij, nuk do të ndodhë as nëse do të kenë ftesë nga Vuçiqi.
"Derisa nuk kemi një plan të qartë për integrimin e shqiptarëve në gjyqësor, në polici, në inspeksionet republikane, në doganë e të gjitha shërbimet tjera që veprojnë në komunat tona, në përfaqësimin tonë në 33 për qind në nivel rajonal, nuk kemi pse bisedojmë as me Vuçiqin as me ndërkombëtarët, për përfshirjen tonë si marionetë në Qeveri", ka thënë ai.