Arbëri

Kamberi: S’ka avancime të rëndësishme politike për Kosovën para marsit të vitit të ardhshëm

Belgzim Kamberi

Belgzim Kamberi nga Instituti “Musine Kokalari” ka deklaruar se nuk mund të ketë ndonjë avancim politik për Kosovën në dialogun me Serbinë para marsit të vitit 2025.

Të martën në “Interaktiv” të KTV-së, Kamberi ka thënë se deri në atë kohë pritet të ketë vetëm probleme të sigurisë dhe situata të ngjashme si ato në veri së fundmi. 

“Nuk shoh se mund të kemi ndonjë avancim të rëndësishëm politik në këto procese para marsit të vitit të ardhshëm. Ajo që mund të kemi janë probleme të sigurisë dhe situata të tilla siç po i shohim në veri”, ka thënë ai.

Kamberi ka shtuar se aktualisht nuk dihet se cfarë raportesh do të ndërtohen midis administratës së re të Shteteve të Bashkuara me Bashkimin Evropian.

“Jemi në një fazë të paqartësive se si do të ndërtohen raportet e SHBA-së me Bashkimin Evropian, jemi në një fazë tranzicioni, prandaj edhe takimi i sotëm dukej më shumë takim i pritjes se çka do të vijë në të ardhmen, jo çfarë do të zgjidhet në të tashmen”, ka shtuar ai.

Sipas Kamberit, Ballkani nuk është prioritet i BE-së për shkak të ngjarjeve gjeopolitike të cilat po ndodhin aktualisht. 

“Duke i marrë parasysh të gjitha konfliktet, Ballkani Perëndimor e çështja Kosovë-Serbi, normalizimi i marrëdhënieve, të jetë prej prioriteteve më të ulëta sesa të tjerat. Znj. Kallas kërkoi zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, nuk e kontestoi marrëveshjen. Ajo çka mund ta sfidojë këtë proces është paqartësia e politikës që pritet ta ketë z.Trump në raport me BE-në në marrëdhëniet transatlantike dhe në këtë drejtim se çfarë efekti ka ajo në Ballkanin Perëndimor”, ka theksuar ai. 

Derisa ka folur për sigurinë në vend, Kamberi ka thënë se është duke u sfiduar kredibiliteti i NATO-s në Kosovë nga çarqet ruse. 

“Më shumë po sfidohet kredibiliteti i NATO-s në Kosovë dhe mendoj se më shumë po goditet ideja e suksesit të NATO-s në Kosovë, në kuptimin gjeopolitik, nga çarqet ruse. Kjo është sfida kryesore që mund ta kemi ne vazhdimisht”, ka deklaruar ai.