Belgzim Kamberi nga Instituti “Musine Kokalari” ka thënë se është i pritshëm presioni për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, para anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Sipas tij, përveç vendeve të Bashkimit Evropian, presion ka edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se procesi i anëtarësimit të Kosovës në KiE nuk mund të jetë i zakonshëm siç mund të ketë qenë anëtarësimi i vendeve tjera të rajonit.
Ka deklaruar se Serbia është e pafuqishme për ta ndalë anëtarësimin e Kosovës në KiE nëse do Gjermania dhe Franca.
“Tre krerët kryesor shtetërorë kanë firmosur një letër të përbashkët që zotohen se do ta zbatojnë marrëveshjen bazike dhe do ta themelojnë Asociacionin. Do të shihet nëse Kurti është i gatshëm ta dërgojë draft-statutin evropian në Gjykatën Kushtetuese. Nga deklaratat që po bëjnë eksponentët politikë të pushtetit, shihet që nuk ka shenja që ky draftstatut të dërgohet në Kushtetuese. Serbia është e pafuqishme ta ndalë anëtarësimin e Kosovës në KiE nëse do Gjermania dhe Franca”, ka thënë ai.
Kamberi ka thënë se nuk është e pamundur që kryeministri Albin Kurti të mos e dërgojë draftstatutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese.
Ai ka thënë se nëse qeveritë gjermane dhe franceze nuk kanë gatishmëri për ta shtyrë anëtarësimin e Kosovës në KiE, është e qartë që ai vendim nuk mund të kalojë në Këshillin e Ministrave.
Sipas tij, të gjitha proceset e anëtarësimit në struktura euroatlantike kanë pasur kritere dhe kushtëzime politike.
“Gjithmonë kanë qenë procese të kushtëzuara politikisht. Këtu kemi të bëjmë me zbatimin e planit franko-gjerman. Prandaj, në Berlin dhe Paris është shumë e rëndësishme që ky plan të mos dështojë. Këto dy qeveri siç shihet nuk po e pyesin fort as Beogradin zyrtar, por po i bëjnë edhe presion Kosovës që të shpreh gatishmërinë që është e interesuar për të zbatuar planin”, ka thënë ai.
Kamberi ka thënë se nëse nuk dërgohet draftstatuti i Asociacionit në Kushtetuese, mund t’i kushtojë vendit me mosanëtarësim në KiE.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës në këtë rast do të mbetej fajtore për moszbatim të planit.