Belgzim Kamberi, nga Instituti “Musine Kokolari”, ka thënë se dështimi i votimit të së dielës për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat veriore të Kosovës, duhet të jetë edhe mesazh për Qeverinë e Kosovës për të “riintegruar serbët e Kosovës në institucione”.
Në votimin e të dielës morën pjesë pak më tepër se 250 qytetarë, duke u konsideruar si i dështuar votimi për shkarkimin e kryetarëve. Lista Serbe kishte bërë thirrje për bojkotimin e votimit.
“S’mund të konsiderohet sukses për Kosovën. Kjo e thellon hendekun mes popullatës serbe të veriut dhe institucioneve e nuk kontribuon në rikthimin e serbëve në institucionet e Republikës së Kosovës, në riintegrimin e tyre. Kjo tregon një mosbesim edhe ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës...Duhet të jetë mesazh për Qeverinë e Kosovës që të gjejë mekanizmat si të bëjë për t'i riintegruar serbët në institucionet, nga gjyqësia, policia e veçanërisht në komuna”, ka thënë Kamberi në “60 Minuta” të KTV-së.
Kamberi ka thënë se situata aktuale vazhdon të jetë “potencial i rrezikshmërisë për probleme të reja të sigurisë”.
Kamberi ka thënë se në votimin e të dielës është treguar edhe se “Beogradi nuk është i interesuar për të zbatuar marrëveshjen, përfshirë Asociacionin”.
“Nëse do të kishte interes, logjikisht do të ftonte njerëzit të shkarkonin kryetarët në veri...Është e qartë se Vuçiqi nuk ka interes për zbatimin e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve”.
Kamberi ka thënë se Kosova ka përmbushur kushtin për organizimin e votimit.
E Kamberi ka thënë se është edhe shumë e rëndësishme që Bashkimi Evropian ka kushtëzuar të hënën edhe zyrtarisht rrugën e Serbisë drejt BE-së me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.