Belgzim Kamberi nga Instituti “Musine Kokalari”, ka deklaruar se me ardhjen e kancelarit Olaf Scholz në pushtet, Gjermania, e cila sipas tij, po e përkëdhelte presidentin serb Aleksandar Vuçiq, ka ndryshuar qasje ndaj tij, duke u bërë më e ashpër.
Të hënën në “Interaktiv” të KTV-së, Kamberi ka thënë se qëndrimet e Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës sa i përket Serbisë nuk janë të përafërta.
“Mendoj që nuk duket se ka një afërsi qëndrimesh midis Gjermanisë dhe SHBA-së kur i përket Serbisë dhe pushtetit të Aleksandar Vuçiqit, por edhe të këtij procesi zgjedhor. Ka një përshtypje që Gjermania, veçanërisht nën pushtetin e kancelarit Scholz, ndryshe nga Gjermania e znj.Merkel që siç dihet kishte një qasje shumë pozitive, kishte përkëdhelur Vuçiqin, nga ndryshimi i pushtetit në Gjermani me ardhjen e kancelarit Scholz ka një qasje më të ashpër ndaj Serbisë dhe Vuçiqit. Ndërsa, siç duket nga ana e SHBA-së dhe e Administratës amerikane, ka njëfarë përshtypje që ka ende një situatë që po bëjnë matje nëse duhet ende të investohet në Vuçiqin si partner dhe si politikan i stabilitetit”.
Sipas tij, Perëndimi e ka llogaritur Vuçiqin si faktor të paqes dhe stabilitetit në rajon.
“Perëndimi ka llogaritur në Vuçiqin si faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon dhe si njeriu që do të mund ta kthente Serbinë drejt Perëndimit. Kjo vazhdon të jetë një nga kartat e tij kryesore që po i mundëson të mbetet në pushtet. Po ta bënte Vuçiqi një kthesë radikale qoftë drejt Perëndimit apo drejt Rusisë atëherë do të merrte fund edhe legjitimiteti i tij, kjo status quo në marrëdhëniet gjeopolitike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare po ia mundësojnë atij mbijetesën politike”, është shprehur Kamberi.
Ai ka shtuar se Vuçiqi ka nevojë për mbështetjen e Perëndimit për t’u legjitimuar pas zgjedhjeve të fundit të mbajtura në Serbi.
“Sot sfida e Vuçiqit është që ta marrë legjitimitetin e jashtëm sepse jemi në një situatë ku ende nuk e dimë se si do të sillet Perëndimi. E pamë që e para ishte Gjermania ajo që reagoi në mënyrë më të ashpër, por edhe vendet kryesore të BE-së sot e asaj dite kërkojnë që parregullsitë të merren parasysh, por edhe një gjë që do të jetë shumë e rëndësishme është qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pakënaqësia popullore në Serbi është më e madhe sesa po e kapitalizon opozita e ashtuquajtur pro-evropiane dhe pro-liberale. Pushteti në Beograd aktualisht është në krizë në raport me Perëndimin, ka një lloj nevoje për mbështetje nga Perëndimi, nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja për ta legjitimuar pushtetin e ri. Pushteti është në panik”, ka thënë ai.