Arbëri

Kalendari i ngjarjeve nuk garanton marrëveshje të shpejtë

Dakordimi i mundshëm rreth një agjende për dialogun pas pushimeve verore - është pritja e vetme nga takimi i dytë mes kryeministrit Kurti dhe presidentit të Serbisë, Vuçiq. Derisa pala kosovare pret që diskutimet të zhvillohen rreth katër propozimeve të Kurtit nga takimi i parë, Serbia do të insistojë në zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin. Për shkak të qëndrimeve diametralisht të kundërta të palëve dhe zhvillimeve të muajve në vijim brenda dhe jashtë vendit, analistët e shohin të vështirë arritjen e shpejtë të një marrëveshjeje

Dinamika dhe kalendari i takimeve të mundshme nuk garanton se mund të arrihet shpejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Në tetor, Kosova voton për zgjedhjet lokale, e në prill të vitit të ardhshëm janë zgjedhjet presidenciale në Serbi.

Në shtatorin e sivjetmë zgjedhje do të ketë edhe në Gjermani, kurse në Francë vitin e ardhshëm - dy vendet shtytëse për arritjen e një marrëveshjeje finale.

Para pushimeve verore, Kurti e Vuçiqi do të takohen të hënën, në përpjekjen për t’u dakorduar rreth temave.

Pritjet e Zyrës së kryeministrit janë të diskutohet për katër propozimet e Kurtit dhe mundësia e arritjes së pajtimit për agjendën e ardhshme të dialogut. Në anën tjetër, zyrtarët serbë kanë paralajmëruar se do të kërkojnë sërish themelimin e Asociacionit.

Ndërkaq Zyra e Emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, përveç orarit të takimit nuk ka zbardhur asnjë nga temat që pritet të diskutohen.

Palët me qëndrime të betonuara

Marrë parasysh qëndrimet e palëve, analistët nuk presin ndonjë rezultat as në takimin e së hënës.

“Në takimin e radhës që mbahet në javën e ardhshme nuk pres ndonjë ndryshim, do të jemi prapë në status quo, në të cilën do të rikthehemi edhe pas pushimeve. Pra unë pres që qeveria të jetë më serioze në qasjen e saj në procesin e dialogut dhe nuk guxon të humbet interesimi i aleatëve tanë, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, duke u zvarritur dhe betonizuar në qëndrime tona. Ne duhet të jemi të hapur për dialog por fillimisht dialogu duhet ta strukturojmë përmes një strategjie kombëtare e cila duhet të hartohet në bashkëpunim me opozitën dhe shoqërinë civile”, ka thënë Emir Abrashi nga Instituti Demokraci Plus (D+).

Sipas tij, fillimisht dialogu duhet të strukturohet përmes një strategjie kombëtare e cila do të hartohej në bashkëpunim me opozitën dhe shoqërinë civile.

“Në fakt e gjithë ideja e procesit të dialogut nënkupton që palët janë në pole diametralisht të kundërta dhe duhet përmes dialogut të arrihet edhe tek një mes ku do të merren vesh. Ne i kemi betonizuar këto qëndrime dhe retorika të cilën e përdorim nuk na ndihmon në arritjen e një marrëveshjeje ose edhe qysh është synimi i procesit të dialogut- normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka theksuar ai.

Propozimi i Serwerit

Në Kosovë ka kërkesa që edhe Shtetet e Bashkuara ta caktojnë një emisar të posaçëm për dialogun. Por, eksperti amerikan për çështjen e Ballkanit, Daniel Serwer, thotë se ShBA-ja ka nevojë për politika aktive para caktimit të një emisari. Ai e ka dhënë edhe një propozim për ta bërë dialogun më efikas.

“Ata kanë nevojë për një politikë para se të kenë nevojë për të Dërguar Special, edhe pse tashmë e kanë Matt Palmerin. SHBA-ja duhet ta mbështesë BE-në, por gjithashtu do të kërkohet që ta ‘çlirojë’ Kosovën. Unë mendoj se Brukseli dhe Uashingtoni duhet të formojnë një entitet si Zyra Civile Ndërkombëtare për të monitoruar zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog si dhe për të emëruar dhe turpëruar ata që nuk arrijnë t’i zbatojnë ato”, ka thënë Serwer për “KOHËN”.

Ai nuk beson në marrëveshje të shpejtë as nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Presidenti Vuçiq sheh pak perspektivë të anëtarësimit në BE në një periudhë të afërt dhe për pasojë është kthyer më shumë drejt Moskës e Pekinit sesa Brukselit. Ai e ka bërë të qartë se nuk është i përgatitur për një veprim të madh përpara zgjedhjeve presidenciale serbe të vitit të ardhshëm”, ka thënë Serwer.

“Kosova në këto rrethana duhet të bëjë çfarë të mundet për ta përdorur kohën që të forcojë pozicionin e saj negociator. Lëvizja e fundit e shteteve mosnjohëse - Greqi e Spanjë drejt modernizimit të marrëdhënieve të tyre me Kosovën, është pikërisht ajo që nevojitet. Do të doja që Prishtina të përmirësonte marrëdhëniet me Pekinin, i cili është më i interesuar për tregti në Ballkan sesa në politikë. Qeveria e Kosovës gjithashtu duhet të bëjë gjithçka që mundet për të përmirësuar marrëdhëniet me serbët dhe komunitetet e tjera brenda Kosovës, duke përfshirë identifikimin dhe kthimin e njerëzve të zhdukur, zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese rreth pronës së manastirit në Deçan dhe mbrojtjen e të gjitha komuniteteve nga dhuna ndëretnike”, ka potencuar Serwer.

Propozimet që synohet të përsëriten

Takimi i parë, më 15 qershor në Bruksel, nuk prodhoi asnjë rezultat, pasi katër çështjet e propozuara nga kryeministri Kurti i refuzoi pala serbe, që insiston në zbatimin e marrëveshjeve të mëhershme, përfshirë atë për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kurti propozoi që gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të avancojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në.

Propozimi i dytë ishte që Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Ndërkaq pas njohjes së ndërsjellë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, Kurti ka propozuar reciprocitet bilateral.

Kryeministri i Kosovës po ashtu ka kërkuar që të largohet Veljko Odaloviq nga pozita për çështjen e të pagjeturve nga lufta e fundit, për shkak të rolit të tij si komandant në luftën e fundit në Kosovë.

Njohësi i integrimeve, Besnik Vasolli, ka thënë se katër kërkesat e kryeministrit Kurti nuk kanë pasur përgjigje konkrete, gjë që konfirmon se palët janë pozicionuar në qëllimet e tyre. Për të gjetur zgjidhje, sipas tij, do të duhej një përfshirje më aktive e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Do të jetë një takim i ngjashëm me të kaluarin. Kurti ka parashtruar disa kërkesa për të cilat nuk kemi parë përgjigje konkrete. Kështu që mendoj që të dyja palët janë pozicionuar dhe nuk janë duke treguar gatishmëri për të lëvizur nga ato pozicione. Sa do të arrijë BE-ja që t’i bindë të lëvizin nga pozicionet e tyre, unë e kam pikëpyetje. Ndoshta ShBA-ja, që duket të jetë e involvuar ka mundësi të bëjë pak lobim dhe ndikim pozitiv te të dy palët që të vazhdohet me dialog dhe të shkohet drejt një marrëveshjeje”, ka thënë Vasolli.

Takimit të nivelit të lartë i paraprinë ato në kuadër të grupeve teknike, ku u rikonfirmua bllokada sa i përket zbatimit të marrëveshjeve që janë arritur nga dialogu i mëhershëm.

Por Serbia u është rikthyer kërkesave të mëhershme, kryesorja ajo për themelimin e Asociacionit.

Qeveria e Kosovës nuk ua ka shuar përfundimisht shpresat serbëve për ta pasur Asociacionin e tyre në Kosovë.

Në zyrën e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, kanë thënë më herët për “KOHËN” se çështjen e Asociacionit e marrin seriozisht kur Serbia t’i ketë shpërbërë strukturat paralele në Kosovë.

Themelimin e Asociacionit me shuarjen e strukturave paralele e patën ndërlidhur edhe qeveritë e kaluara.

***

**

Legjenda: Marrë parasysh qëndrimet e palëve, Kosovës dhe Serbisë, analistët nuk presin ndonjë rezultat as në takimin e së hënës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel