Arbëri

Kajtazi për “planin e atentatit” ndaj Kurtit: Kur del në media, s’është serioze

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Fadil Kajtazi, ka thënë se raportimet se ka pasur plan për atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, nga strukturat e Serbisë, nuk janë serioze kur dalin në media.

Të shtunën, Radiotelevizioni Publik i Kosovës (RTK) fillimisht ka raportuar “me burime nga siguria” se ka pasur tentim-atentat ndaj Kurtit gjatë vizitës së tij në Shkup. Por më pas, lajmi është përmirësuar duke thënë se ka qenë një plan për atentat. Kurti pas mbërritjes në Kosovë ka thënë se ka çdo ditë kërcënime nga strukturat që kanë rrënjët në Beogradin zyrtar.

Por Kajtazi ka thënë se kur shteti përgatit një vrasje, "të fundit që e marrin vesh janë mediat".

“Sa serioz ishte është përgjigje e vështirë të flitet në mënyrë hipotetike. E para që konsultohet është burimi nga vjen informacioni dhe burimi duhet të jetë i klasifikuar. Nëse burimi nuk është i klasifikuar, duhet të sigurohen edhe të paktën tre, katër burime alternative që e konfirmojnë informatën. Përndryshe, letra, paraqitje publike të vrasjeve e kërcënimeve janë përditshmëri pasi tani rrjetet sociale kanë bërë punën e vet. Në raste të tilla, ai që quhet burim verifikues është prezenca operative në vendin ku është duke u planifikuar një gjë e tillë. Kjo është thelbësore. Ose prezenca elektronike, përmes përgjimeve. Edhe nëse merret si informacion i klasifikuar i vërtetë, prapë se prapë menaxhimi i atij informacioni duhet të bëhet në rruga të tjera, jo në media”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së.

“Vrasjet e këtyre niveleve organizohen nga tri kategori: shteti, grupe mafioze apo persona të frustruar. Kur një akt i tillë strukturohet nga shteti, të fundit që marrin vesh për këtë punë janë mediat. Mediat marrin vesh pasi ka mbaruar puna dhe mënyra se si bëhet një plan i tillë operativ në momentin që del në media, nuk është serioze se prapa kësaj ka qëndruar një shtet”, ka shtuar Kajtazi.

Një nga shkaqet pse dalin këto kërcënime kohë pas kohe, sipas Kajtazit, është lufta speciale.

“Që dikë ta mbajnë vazhdimisht në tension, që të mos i kry punën në mënyrë normale”, ka deklaruar ai.

Në të kaluarën, siç thotë Kajtazi, UDBA i kryente vrasjet e këtyre nivele me një grup shumë të ngushtë njerëzish.