Arbëri

Kadri Veseli kthehet në Kosovë

Foto: Reuters

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli është kthyer në Kosovë.

Siç është bërë e ditur nga Gjykata Speciale, arsye e kthimit të tij janë arsyet familjare, porse KOHA ka marrë vesh se babai i tij është në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, gjyqtari i procedurës paraprake ka udhëzuar Zyrën e Regjistrimit që të menaxhojë një vizitë kujdestarie në Kosovë për të takuar familjen e ngushtë. I akuzuari mbetet në paraburgim të Dhomave të Specializuara. EULEX dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Speciales për KOHËN.

Ndonëse janë pyetur, Dhomat e Specializuara nuk kanë bërë me dije se sa do të qëndrojë Veseli në Kosovë.

Veseli së bashku me ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryekuvendarin Jakup Krasniqi e ish-deputetin Rexhep Selimi janë pjesë e një aktakuze të përbashkët për krime lufte.