Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar Autoritetin Kosovar të Konkurrencës për mos luftimin e monopoleve për shitjen e biletave për bashkatdhetarët që udhëtojnë përmes Aeroportit të Prishtinës.
Në një konferencë për media, deputetja e LVV-së, Donika Kadaj tha se mijëra qytetarë të Kosovës dhe diasporës paguajnë padrejtësisht mijëra euro për udhëtime për të ardhur në Kosovë dhe anasjelltas, madje ato dhjetëfishohen në periudha të pushimeve vjetore.
Ajo theksoi se marrëveshja e fshehtë e krijuar nga kompanitë e shitjes së biletave, ka bërë që të dëmtohen bashkatdhetarët tanë dhe si pasojë e kësaj, Aeroporti i Shkupit po zëvendësohet për ditë e me shumë me atë të Prishtinës, pasi atje biletat janë shumëfish më të lira.
“Sot, në vend se t’i krijohen lehtësira për udhëtim, investim, pjesëmarrje në institucione, në fakt ky pushtet i rrjep fillimisht [bashkatdhetarët] me çmime astronomike të biletave e ata që vinë me automjete dihet si kalojnë në mungese të kartonit të gjelbër. Marrëveshje të fshehta që janë krijuar nga kompani të biletave të udhëtimit me shtetet ku kryesisht i kemi bashkatdhetarët tanë, e dëmtojnë rëndë buxhetin e tyre. Këso marrëveshjesh ndërmjet operatorëve ekonomikë kanë bërë që kompanitë e tilla të përfitojnë në kundërshtim me ligjin dhe bashkë me to edhe oligarkët politikë që i mbrojnë tani e pothuajse dy dekada”, tha Kadaj, raporton KP.
Deputetja e VV-së ka akuzuar Autoritetin e Konkurrencës për mos parandalimin e monopolit, porse sipas saj, kjo nuk mund të bëhet me njerëz që janë politik. Sipas saj, ky autoritet një kohë të gjatë ishte jo funksional si shkak i PDK-së dhe LDK-së të cilët nuk arrinin t’i dërgonin njerëzit e vet aty, por edhe pas funksionalizimit, me kompletimin e bordit, ky i fundit i ka ngufatur inspektorët hetimorë për të hetuar monopolet e shumta në shtetin e Kosovës.
“Më lejoni të them se Autoriteti i Konkurrencës është i fuqishëm ligjërisht për parandalimin e monopolit në treg dhe këtë mund ta bëjë por vetëm me njerëz të aftë profesionalisht dhe të guximshëm. Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, së bashku me bordin e këtij autoriteti, me zell i lufton kompanitë publike duke synuar shkatërrimin e tyre kurse duke mos vepruar heshturazi i përkrahin tajkunët të cilët i zhvatin paratë e qytetarëve të Kosovës. Ky ekip i njerëzve puro politikë, e kjo konstatohet përmes fotografive të tyre që janë publike në faqet e tyre në rrjetet sociale, konfirmon se janë aty për të mbrojtur interesat e karteleve të LDK-së dhe PDK-së dhe jo për të kryer punën e tyre”, theksoi ajo.
Për shqetësimet rreth emërimeve politike ne këtë Institucion, deputetja Kadaj tha se është njoftuar edhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, me 27 prill 2016 përmes një shkrese për shkeljet e bëra gjatë emërimit të anëtareve të komisionit. Por, ajo shtoi se Veseli nuk ka vepruar, pasi “është vet pjesë e skemës kriminale të ngritur dhe ndërtuar ndërmjet partnerëve të koalicionit PDK-LDK”.