Arbëri

Kaçaniku dhe Hani i Elezit pa asnjë librari

Komuna e Kaçanikut dhe ajo e Hanit të Elezit nuk kanë librari ku prindërit dhe nxënësit mund të blejnë librat për fëmijët e tyre. Ata thonë se për t’u furnizuar me pajisje shkollore detyrohen të shkojnë në Ferizaj e Prishtinë. Zyrtarë të këtyre komunave thonë se pavarësisht kërkesës për librari mobile, një gjë e tillë nuk është realizuar

Për t’u pajisur me tekste shkollore, prindërit dhe nxënësit e Komunës së Kaçanikut duhet të drejtohen në libraritë e qytetit të Ferizajt, në mungesë të një librarie në këtë komunë. Prindi Kenan Uka, tha se mungesa e një librarie në komunën e tyre po u krijon telashe në sigurimin e teksteve shkollore.

“Është një traumë me e marrë krejt familjen e me shku me i ble librat në Ferizaj me autobusë me kerre. Temperaturat janë 37 deri në 38 gradë celsius, prindërit janë të moshuar dhe me stresin e tyre, që çdo shtator me fillua me u përballë me këtë gjë”, ka thënë ai.

Remzi Reka ka treguar se vitin e kaluar, në pamundësi për sigurimin e teksteve shkollore në libraritë e qytetit të Ferizajt, janë detyruar që të shkojnë në kryeqytet. 

“Kjo është një problem i madh. Po na shqetëson neve prindërit sepse po duhet të vrapohet në Ferizaj, Prishtinë. Edhe përvoja e vitit të kaluar nuk ka qenë e mirë, nuk kemi pas mundësi t’i marrim të gjitha librat me një vend në Ferizaj, është dashtë me shku në Prishtinë. Një pjesë e nxënësve deri në fund të vitit nuk kanë qenë të furnizuar me krejt librat”, ka thënë Reka. 

Drejtori i Arsimit në Komunën e Kaçanikut, Zahir Doda, tha se për dallim nga viti i kaluar, këtë vit shtëpitë botuese nuk po i përdorin marketet për shpërndarjen e teksteve shkollore. 

“Vitin e kaluar shtëpitë botuese i kanë shfrytëzuar marketet për shpërndarjen e librave, nuk ka qenë e hijshme. Unë kam shpresuar që këtë vit MASHT-i do të reflektojë bazuar në kërkesën e të gjithë drejtorive komunale të arsimit, për shkak që kjo është një formë e madhe e keqpërdorimit”, ka thënë Doda. 

E me mungesë të librarive po përballen edhe qytetarët e Komunës së Hanit të Elezit. 

Kryetari i kësaj komune, Mehmet Ballazhi, tha se pavarësisht kërkesave për krijimin e një librarie mobile, një gjë e tillë nuk është realizuar. 

“Është problem goxha i madh mungesa e librarive, edhe pse nuk është në domenin e komunës, ndoshta edhe jo të institucioneve të institucioneve qendrore. Ne kemi kërkuar që të kemi një librari mobile që të paktën qytetarët të furnizohen me tekste shkollore, është një problem për Hanin e Elezit, duke e ditë që është edhe transporti. Tash nëse e llogarit për me shku në Kaçanik edhe atje nuk ka librari, kështu që qytetarët duhet të vazhdojnë në Ferizaj dhe në Prishtinë. Ky është shpenzim dhe një farë forme shqetësim për prindërit”, ka thënë Ballazhi.

Me gjithë kritikat, Ministria e Arsimit edhe këtë vit ka marrë vendim që të vazhdojë me formën e subvencionimit të prindërve për blerjen e teksteve shkollore. Mësimi në të gjitha nivelet parauniversitare nis të hënën më 2 shtator.