Arbëri

Kaçanikasve Abdixhiku u premtoi energji me gaz, infrastrukturë rrugore e kyçje në autostradë

Në Kaçanik e Han të Elezit, kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, zhvilloi ditën e dytë të fushatës. Banorëve të Kaçanikut  u premtoi investime në rrugë, kyçje në autostradë e përfitime nga centrali me gaz që qeverisja e tij synon ta ndërtojë në qytetin fqinj, Ferizaj. Abdixhiku prezantoi edhe planet për shkollimin e nxënësve.

Kapelat, pankartat e flamujt u bënë gati në Kaçanik për të mirëpritur kandidatin e Lidhjes Demokratike për kryeministër, Lumir Abdixhikun.

Një rend i gjatë aktivistësh e simpatizantësh mirëpritnin mysafirët, kandidatët për deputetë e edhe atë për kryeministër.

I shoqëruar nga pretendenti për deputet i kësaj komune, Korab Krasniqi, Abdixhiku hyri në shtëpinë e Kulturës me duartrokitje nga masa.

Kaçaniku ku u shënua hapi i parë institucional, Abdixhiku tha se do të jetë edhe vendi ku do të nisë ringritja e LDK-së.

Derisa ua prezantoi programin, ua dha një gjysmë premtimi kaçanikasve.

“Do të investojmë mbi 1 miliard euro në infrastrukturë rrugore nga unaza e kryeqytetit në Prishtinë te përfundimi i të gjitha rrugëve rajonale, magjistrale e autostradave dhe do të rishikojmë mundësinë e kyçjes së Kaçanikut në autostradën e tanishme këtu, e meritoni për besë, e meritoni si qytet”, ka thënë Abdixhiku.

Tek foli për problemet e Kosovës me energjinë elektrike, Abdixhiku u tha se me qeverisjen e LDK-së, rryma më nuk do të jetë problem.

“Në Kosovën ku nuk ka rrymë sepse pushteti tallet duke na thënë se kemi zhvillim ekonomik, në këtë Kosovë do të ndërtojmë centralin e ri me gaz 500 megavat. Investim me gaz amerikan. Dhe, ky gaz amerikan nga Shkupi do të kalojë në Han të Elezit, në Kaçanik, Ferizaj e tutje. Do të jetë investim rekord edhe për qytetin tuaj edhe për të ardhmen e familjeve tuaja”, u shpreh ai.

Abdixhiku prezantoi edhe planet për shkollimin e nxënësve.

“Për të gjithë fëmijët tanë të Kosovës ata që qëndrojnë sot 4 orë në shkollë, LDK do të sigurojë mësim gjithditor, ushqime të ngrohta, klasa moderne, tabela digjitale e mësimnxënie moderne, ashtu siç kemi bërë në kryeqytet me LDK-në, do të bëjmë në 5 komuna fillimisht e më pas në krejt Kosovën”, ka shtuar tutje ai.

Kandidati i LDK-së për kryeministër tha se vota e kaçanikasve do ta nxjerrë Kosovën nga udhëkryqi politik.

Kjo parti gjatë ditës ka vazhduar me tubime elektorale edhe në Han të Elezit e fshatin Gadime.