Banorë të lagjes “Aktash” në Prishtinë ankohen se po u rrezikohet jeta për shkak se kabllot nëpër shtylla elektrike kanë rënë pothuajse në tokë. Sipas tyre, kjo po ndodh si rezultat i mbingarkesave me kabllo dhe se ata vetë janë detyruar që të intervenojnë me qëllim të shmangies së ndonjë incidenti. Nga KEDS-i kanë premtuar zgjidhje të këtij problemi
Kabllot e shtyllave elektrike në një pjesë të lagjes “Aktash” në Prishtinë lehtësisht mund të preken nga kalimtarët, për shkak të pozicionit të ulët në të cilin gjenden.
Sipas qytetarëve të kësaj lagjeje, kjo gjendje është rezultat i mbingarkesës së shtyllave me kabllo.
Qytetarë në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë janë ankuar se shtyllat elektrike janë të mbingarkuara me kabllo, për çka sipas tyre, kjo po i rrezikon jetën dhe njëkohësisht po e pengon qarkullimin e lirë në këtë anë.
Disa nga banorët e kësaj lagjeje kanë thënë se janë detyruar që të bëjnë një lidhje të përkohshme midis kabllove, për të shmangur ndonjë rrezik potencial.
“Unë i kam marrë dhe i kam lidhur, sepse këto kanë qenë të lëshuara edhe më poshtë, edhe për 1 metër më poshtë. Sivjet na ka ndodhur kur ishte ky dimri, ftohti i madh i mora dhe i lidha. Kur i kapa me dorë për t’i lidhur, aq shumë ishin të nxehtë dhe të mbingarkuar, saqë patëm frikë”, ka thënë një qytetar.
“I kemi lajmëruar, 500 herë kemi bërë thirrje, kurrë në jetë nuk kanë ardhur për t’i lidhë. E i kam marrë i kam lidhur me lidhëse për pak kujdes ndaj njerëzve”, ka shtuar një qytetar tjetër.
Ndërsa, zëdhënësi i KEDS-it, Lulëzim Krasniqi, ka thënë se nuk kanë informacione të sigurta nëse kabllot janë në pronësi të kësaj kompanie.
Mirëpo, sipas tij, do të intervenojnë në rregullimin e problemit.
“Shumica e kabllove, në mos 90 për qind e tyre janë të kompanive të internetit e kabllore. Megjithatë, ka edhe kabllo të KEDS-it, për çka kompania do të dërgojë një ekip për t’i rivendosur ato në mënyrën e duhur”, ka thënë zëdhënësi i KEDS-it, Krasniqi.
E për shfrytëzim të shtyllave për vendosje të kabllove, kompanitë e internetit detyrohen që të paguajnë një vlerë të caktuar ndaj KEDS-it.