Arbëri

Juristët: Kthimi i rrugëve të Prishtinës në sheshe në kundërshtim me vendimin gjyqësor përbën vepër penale

Autoritetet lokale të Prishtinës kanë nisur punimet për t’i kthyer në minisheshe rrugët “Rexhep Luci” e “Qamil Hoxha”. Juristët thonë se kjo përbën vepër penale, meqë Gjykata Komerciale ka anuluar në shkallë të parë vendimin, që bllokon qarkullimin e automjeteve në këto rrugë. E, pavarësisht shpërfilljes së vendimit gjyqësor, në Komerciale dhe as në Prokurori nuk treguan masat në raport me zyrtarët komunalë

Rrugët “Rexhep Luci” dhe “Qamil Hoxha” në kryeqytet vazhdojnë të jenë të paqasshme për automjete, pavarësisht aktgjykimit të shkallës së parë të Gjykatës Komerciale, që anuloi vendimin e Komunës së Prishtinës për mbylljen e tyre.

Komuna ka nisur zbatimin e projektit 1.3-milionësh, që parasheh kthimin e rrugëve në minisheshe e në të cilat do të ndalohet edhe qarkullimi me automjete.

Banorët e rrugës “Rexhep Luci” paralajmëruan kallëzim penal ndaj kryetarit Përparim Rama.

“Kryetari është t’u e shkel ligjin. Për atë do të ketë kallëzim penal për kryetarin dhe ne do t’i nisim t’i ndjekim të gjitha rrugët ligjore që t’i mbrojmë të drejtat tona”, ka thënë përfaqësuesi i banorëve të rrugës “Rexhep Luci”, Mentor Dobruna.

E Gëzim Shala, hulumtues në IKD, vlerëson se ky vendim nuk guxon të zbatohet tash për tash.

“Zbatimi i këtij vendimi është i kundërligjshëm. Në këtë situatë në të cilën jemi, qartazi kemi të bëjmë me kryerjen e veprës penale ‘Mosekzekutimi i vendimit gjyqësor’ dhe në rastin konkret, zbatimin e këtij vendimi gjyqësor duhet ta bëjë prokurori i shtetit”, ka thënë ai.

As Gjykata Komerciale dhe as Prokuroria nuk iu përgjigjen pyetjeve të KOHËS për veprimet potenciale që mund të ndërmerren, pas shpërfilljes që Komuna ia ka bërë vendimit gjyqësor. Përgjigje nuk ka kthyer as Komuna e Prishtinës.

E juristi Anton Ndrecaj ka thënë se mosrespektimi i vendimeve gjyqësore nga Komuna nuk përbën rast të izoluar dhe ka treguar se pasojat e kësaj qasjeje kryesisht i vuajnë qytetarët.

“Dëmet më të mëdha të cilat vijnë si pasojë e vendimeve të gjykatës, edhe në rastin konkret për sheshin ‘Rexhep Luci’, më së shumti dëmi shkon në xhepin e qytetarëve, sepse ajo gjobë të cilën do të duhej ta paguante mbi bazën e vendimit të Gjykatës, ato janë mjete, janë para publike, janë para të qytetarëve”, ka thënë Ndrecaj.

Pas padisë së ushtruar në gusht të 2023-tës, shkalla e parë e Gjykatës Komerciale anuloi vendimin e Komunës për mbylljen edhe të rrugëve “Rexhep Luci” e “Qamil Hoxha”.