Arbëri

Joseph për deklaratat e fundit të Daçiqit: Shkelje flagrante e marrëveshjes së Brukselit

Eksperti amerikan për Ballkanin Perëndimor, Edward Joseph, ka thënë se deklaratat e fundit të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, po e përforcojnë kërkesën e Kosovës që Beogradi t’i nënshkruajë të tri marrëveshjet e mbështetura nga BE-ja dhe SHBA-ja.

“Më 4 dhjetor, Daçiq nënvizoi deklaratën e presidentit Vuçiq se ai nuk ka nënshkruar propozimin franko-gjerman. Prandaj, siç tha Daçiq, ‘kjo nënkupton se nuk pranojmë asnjë interpretim që nënkupton njohjen e Kosovës dhe nuk ka hyrje në OKB’. Por, bllokimi i Serbisë s’kufizohet vetëm me hyrjen e Kosovës në OKB”, ka shkruar Joseph në platformën “X”.

Ai ka cituar Daçiqin që ka thënë se sa i përket “OSBE-së është mirë se Kosova s’do të bëhet kurrë anëtare e kësaj organizate, pasi aty merren vendime me unanimitet, e Serbia kurrë s’do të pajtohet”.

Joseph tha se deklaratat e Daçiqit janë në “kundërshtim me marrëveshjen e shkurtit të dakorduar në Bruksel për normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi”.

“Është në kundërshtim flagrant me nenin 4 të Marrëveshjes së shkurtit të mbështetur nga BE/SHBA: ‘Rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë’. Deklaratat e Daçiqit në Këshillin Ministror të OSBE-së në Shkup, shkojnë përtej retorikës zgjedhore. Ato janë qëndrime të një politike afatgjate të Serbisë. SHBA dhe BE, mbani shënime”, ka thënë Joseph.