Arbëri

Joseph: Kthimi i Bislimit nga Beogradi, veprim për ta turpëruar Kosovën

Kthimi prapa i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi nga autoritetet e Serbisë është vlerësuar si një porosi e keqe për bashkëpunimin rajonal nga analisti i politikave të jashtme, Edward P. Joseph, nga Universiteti Johns Hopkins. Sipas tij, ky veprim i Beogradit është dizajnuar për ta turpëruar Kosovën. Por, ka shtuar se ky është gabimi i dytë i madh i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, brenda pak muajve.

Kthimi prapa i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, nga autoritetet e Serbisë është vlerësuar si një porosi e keqe për bashkëpunimin rajonal nga analisti i politikave të jashtme, Edward P. Joseph, nga Universiteti Johns Hopkins.

Sipas tij, ky veprim i Beogradit është dizajnuar për ta turpëruar Kosovën.

Në një intervistë për KOHËN të realizuar në Konferencën e Sigurisë në Beograd, Joseph ka theksuar se ambasadat e vendeve perëndimore duhet ta kuptojnë mesazhin negativ të dizajnuar në këtë rast, me përpjekjen për turpërim, si dhe për tregim të fuqisë.

Ai ka vlerësuar se në qoftë se Beogradi ka dashur që për ndonjë arsye zëvendëskryeministri Bislimi mos të vijë në kryeqytetin e Serbisë, atëherë kanë mundur që ta refuzonin pëlqimin.

Sipas tij, ky është gabimi i dytë i madh i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, brenda pak muajve.

“Me të vërtetë shpresoj që Ambasada e ShBA-së, ambasadat e QUINT-it dhe të tjerat e kuptojnë shëmtinë e kësaj porosie, që është një mesazh i turpërimit dhe i fuqisë, në kuptimin që ne mund të ngatërrohemi me juve dhe në kontekstin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë, që vjen nga historia e shëmtuar që ne ju sundojmë, ne ju tregojmë, ju jeni nën neve. Mendoj se ky është një mesazh shumë i shëmtuar dhe për presidentin Vuçiq ky është gabimi i dytë shumë serioz që e ka bërë në dy muaj. Gabimi i parë serioz, në mesin e shumë gabimeve, ka qenë më parë në New York, me marrëveshjen që Serbia ka nënshkruar me Rusinë përkatësisht me Lavrovin. Këto janë dy prova të realitetit të Aleksandar Vuciqit”, ka thënë Joseph.

Pas kthimit në Kosovë zëvendëskryeministri Bislimi ka deklaruar se ndërprerja e vizitës së tij në Beograd nga autoritetet serbe dëshmon se Serbia nuk është e gatshme që të punojë për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. 

Në Beograd, pasditen e së enjtes, Bislimi ishte paraparë që të merrte pjesë në konferencën e Forumit për Marrëdhënie Etnike, teksa të premten do të duhej të ishte i pranishëm në një panel diskutimi në kuadër të Konferencës së Sigurisë.