Egzon Osmanaj, asistent hulumtues në Institutin e Fondacionit Friedrich Ebert, ka deklaruar se Bashkimi Evropian nuk i ka dhënë asnjë shteti “karota” pse e ka merituar, por për arsye politike.
Ai tha se ky është gabim i BE-së, pasi po të bëhej e kundërta, sipas Osmanajt, vendet do të ishin më të motivuara për të ecur përpara në integrimin evropian.
“Një pjesë të fajit e bart edhe BE-ja pasi të gjitha karotat që i kanë marrë vendet, s’i kanë marrë për progres por për arsye të tjera...Zakonisht kjo ka ndodhur për arsye politike, e është e rëndësishme të kemi parasysh këtë pasi kjo i motivon vendet. Në fund të ditës del se gjithçka është vullnet politik që vendoset në Këshill të BE-së. Kjo çon mesazh negativ”, ka thënë Osmanaj në "Konfront" të KTV-së.
Demaku kritikon qasjen e Qeverisë: Nuk merret me Raportin, por me lajmëtarin
Analistja në “Konfront”, Dafina Demaku, ka deklaruar se Qeveria Kurti nuk po merret me gjetjet e Raportit të Progresit, por me atë që po e prezanton.
Sipas Demakut, këtë qasje Qeveria e ka pasur edhe në raste të tjera.
“Ajo që e ka karakterizuar këtë Qeveri është mënyra se si merret me lajmëtarin e çdo dokumenti e të çdo lajmi...Bislimi më tepër u mor me lajmëtarin...Është dashur ta trajtojë më në mënyrë më të dinjitetshme Lajçakun”, ka deklaruar Demaku.
Ajo ka potencuar se këtë qasje Qeveria e ka edhe ndaj mediave.
Gërgi: Kosova ka përparim në vetëm dy nga 35 kapitujt për anëtarësim në BE, nota mesatare 2.02
Besar Gërgi nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka thënë se Kosova në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, ka shënuar përparim në vetëm dy nga 35 kapitujt e nevojshëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Madje sipas tij, vlerësimi i përgjithshëm për Kosovën rezulton të jetë me notë mesatare 2.02 nga 5 sa do të ishte maksimale.
“Komisioni Evropian në vlerësime të përgjithshme i ka pesë shkallë - nga shkalla e parë më e dobët ‘përgatitje e dobët’ deri te më e larta ‘përgatitje shumë e avancuar’. Janë pesë shkallë. Dhe nëse i shohim 35 kapitujt e negociatave të anëtarësimit që bëhen tradicionalisht, Kosova ka përparim në vetëm dy kapituj. Në atë 19 për politika sociale dhe punësim dhe atë 24 që është drejtësi, liri dhe siguri. Kapitulli 24 është ndër më të rëndësishmit bashkë me 23-shin për integrime evropiane dhe kjo është për t’u vlerësuar, por duke parë vlerësimin mesatar të Kosovës na rezulton të jetë 2.02”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së të enjten.
Sipas tij, një notë mesatare e tillë po që se do të merrej në sistemin e arsimimit në Kosovë do të konsiderohej “nxënës jo i mirë”.
“Situata s’është shumë e kënaqshme, por nëse e krahasojmë këtë raport me të kaluarit, rezulton të jetë pak a shumë i njëjtë. As më pozitivi që kemi marrë e as më negativi që kemi marrë ndonjëherë”, ka shtuar ai, teksa ka përmendur se për dallim nga komisionet e kaluara, në të riun është thënë se Ballkani do të jetë ndër prioritetet për zgjerim.
Miftaraj: Raporti i Progresit tregon se në shumë fusha ka regres

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka deklaruar se Raporti i Progresit i Bashkimit Evropian tregoi se Kosova ka shënuar regres në fushat e sundimit të ligjit, e sipas tij, progresi “gati nuk shihet fare”.
Miftaraj ka përmendur sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit, qeverisjen e mirë dhe punën e Kuvendit si pika ku Qeveria Kurti nuk ka punuar.
“Në Raport përmendet se Kosova nuk ka strategji kundër korrupsionit. Është detyrë e Qeverisë që të hartojë këtë strategji, e Kosova s’ka strategji nga viti 2019. Kjo strategji është dokument që dëshmon vullnetin e Qeverisë për të luftuar korrupsionin. Është viti 2024, viti i katërt i qeverisjes e kjo Qeveri ka dështuar të përpilojë një dokument bazik”, ka thënë Miftaraj në "Konfront" të KTV-së.
Drejtori i IKD-së ka potencuar se Qeveria Kurti ka dështuar të bëjë edhe reforma brenda sistemit prokurorial të Kosovës.
Ai ka thënë se Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) është hallka më e dobët e luftimit të krimit, por sipas Miftarajt, Ministria e Drejtësisë e ka hartuar dy herë ligjin për KPK-në por në të dyja rastet Komisioni i Venecias ia ka kthyer prapa.