Arbëri

Jo të gjithë mësimdhënësit do t’i bashkohen grevës, Nagavci kritikon SBASHK-un

Prindër e mësimdhënës po shprehen kundër grevës së paralajmëruar nga SBASHK-u. Thonë se kjo sindikatë duhet të gjejë forma të tjera të protestës, pa e cenuar të drejtën e fëmijëve për shkollim. Grevës i është referuar sërish edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci

Onika Mazreku mezi pret të kthehet në bankat shkollore. Kjo nxënëse e klasës së pestë të shkollës fillore “Dardania” në kryeqytet thotë se edhe gjatë pushimit të verës, është munduar të qëndrojë në hap me mësimet.

“Më ka marrë malli shumë t’i shoh shoqet dhe shokët e klasës dhe mësuesen. Dhe, për mësime më ka marrë malli, sepse dua të mësoj diçka të re”, ka thënë Mazreku.

Por, viti shkollor rrezikon të mos nisë më 1 shtator, pas paralajmërimit për grevë nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit. Kundër formës me të cilën SBASHK-u po synon realizimin e kërkesave është shprehur babai i Onikës.

“Fëmijët mezi që presin të fillojë shkolla. Edhe kanë pasur pushim edhe prapë tash pushim; sa duhet me pasë pushime? Ndikon për të keq. Unë nuk jam kundër SBASHK-ut ose kundër mësuesve ose kundër atyre, por jam kundër formës që e kanë zgjedhur, do të thotë t’i përdorin fëmijët për grevë për të arritur një qëllim të tyre, do të thotë nuk është diçka që është e mirë. Ka mënyra të tjera, ka forma të tjera edhe besoj që e gjejnë një mënyrë për të arritur qëllimet e tyre”, ka thënë Arben Mazreku, prind.

Mësuesja e kësaj shkolle, Elena Stublla, thotë se me gjithë grevën e paralajmëruar, ajo do të mbajë mësim.

“Unë personalisht do ta mbaj mësimin, si të organizohet grevë ose jo, unë e kam në plan të mbaj mësim, sepse nuk e shoh etike që për përfitimet e mia personale t’i dëmtoj fëmijët. Unë filloj me klasën e parë dhe e shoh shumë të nevojshme që fëmijët të jenë prezentë sa më shpejt në shkollë”, ka thënë Elena Stublla, mësuese.

Për të, greva është e paarsyeshme dhe me orientim politik.

“Siç e dini, SBASHK-u ka dy kërkesa. E para është inicimi i ligjit për paga dhe e dyta 100 euro. Ligji për paga veçse është iniciuar, ndërsa 100 eurot janë ofendim për mësimdhënësit. Të bësh grevë për 100 euro është fyerje për integritetin e mësimdhënësit. Nuk e di pse pikërisht grevë dhe pse jo forma tjera. Pse duhet të përdoret mësimdhënësi si vegël për arritjen e aspiratave të ndryshme politike”, ka thënë Stublla.

Grevës së SBASHK-ut i është referuar sërish edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Në një postim në rrjete sociale, ajo ka potencuar se SBASHK-u nuk duhet ta cenojë të drejtën e nxënësve për shkollim.

Dy ditë më parë, gjatë një konference shtypi, Nagavci kishte deklaruar se kjo grevë më së shumti i dëmton nxënësit.

“Paralajmërimet e SBASHK-ut për ndërprerje të procesit mësimor kundrejt rritjes në paga nuk kanë arsyetim! Ky cikël i përsëritshëm i kërcënimeve nuk mund të vazhdojë më. SBASHK-u gëzon të drejtë të garantuar ligjore për organizim dhe reagim sindikal, por nuk mund ta cenojë të drejtën kushtetuese të nxënësve për shkollim. Nuk ndërpritet procesi mësimor sa herë që dikush dëshiron! Jam shumë e bindur në përkushtimin e mësimdhënësve dhe përgjegjësinë që të njëjtët ndiejnë ndaj nxënësve. Sindikatat janë partneri ynë social, andaj dhe kemi shqyrtuar çdo kërkesë të tyre. Projektligji i ri i pagave adreson rangimin e punëtorëve të arsimit edhe më mirë sesa SBASHK-u kishte kërkuar e që ishte pajtuar me ish-qeverinë, andaj edhe procesi mësimor s’bën të pengohet”, ka thënë Nagavci.

Javën e kaluar, SBASHK-u ka paralajmëruar grevë nga 25 gushti. Ka thënë se greva do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesës së tyre për marrjen e shtesave prej 100 eurosh për çdo muaj, dhe deri në miratimin e ligjit për paga.