Arbëri

Jo të gjitha komunat do të përfitojnë nga pakoja 75-milionëshe për energjinë

Investimi në efiçiencë te ndërtesat e banimit social, ka qenë temë diskutimi të premten në takimin që zyrtarë të Qeverisë dhe ata të BE-së kanë pasur me përfaqësues komunalë. Investimet janë planifikuar në kuadër të Pakos Emergjente e nga e cila Kosova ka përfituar 75 milionë eurosh. Por, jo të gjitha komunat do të sigurojnë mbështetje nga kjo shumë.

Përfaqësues të komunave e edhe ata të Qeverisë dhe të Bashkimit Evropian (BE) diskutuan të premten mbi adresimin e ndihmës prej 75 milionë eurosh, për t’u përballur me krizën energjetike.

Pakoja financiare e siguruar nga BE-ja do të përdoret për rritjen e efiçiencës së energjisë. E në takim, iu bë thirrje komunave që të investojnë në këtë drejtim.

Kryeministri Albin Kurti, tha se ndihma prej BE-së është jetësim i kërkesave që kanë pasur për të siguruar mbështetje për sektorin energjetik të Kosovës.

“Këtë pako financiare jemi siguruar që ta dizajnojmë në mënyrë të tillë që të zgjerojmë e të rrisim ndikimin e masave që i kemi marrë si qeveri, për t’i përkrahur e mbrojtur qytetarët tanë në përballje me krizën energjetike, masa këto për rritje të efiçiencës, ulje të konsumit e për mbrojtje të grupeve të cenueshme të qytetarëve tanë. Për një shoqëri më të barabartë që në thelb është një ndër synimet kryesore të Qeverisë sonë”, ka deklaruar Kurti.

Derisa ka përmendur të dhënat nga masat paraprake të qeverisë, Kurti tha se janë mbështetur mbi 9 mijë familje duke ua subvencionuar blerjen e pajisjeve efiçiente për ngrohje gjatë muajve të dimrit, si dhe janë ndarë mbi 120 milionë euro për 208 mijë familje kursimtare.

Kreu i Qeverisë paralajmëroi se do të vazhdohet me ndërmarrjen e veprimeve edhe pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë që çmimi i rrymës të shtrenjtohet për 15.4 përqind.

“Ndër të tjera, do të subvencionojmë familjet për konsum të energjisë deri në 800 kilovatë në muaj, kurse grupet e cenueshme siç janë familjet me asistencë sociale do të kenë trajtim të veçantë”, ka thënë ai.

Ndërkaq, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, shpjegoi se me këtë pako do të subvencionohen familjet në blerjen e pajisjeve efiçiente.

“Në kuadër të planit emergjent 75 milionë eurosh që përkrahet nga BE-ja, Ministria e Ekonomisë që nga ky vit do të zbatojë masat e efiçiencës së energjisë që kapin vlerën prej 15 milionë euro dhe target-grup kemi sektorin rezidencial dhe ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme. Për sektorin rezidencial, pra për familjet do t’i subvencionojmë pajisjet ngrohëse efiçiente siç kemi bërë edhe vitin e kaluar, duke përfshirë këtu klimat inventer, kalldajat, stufat, pajisjet e tjetra shtëpiake që kanë potencial për kursim të energjisë, siç janë frigoriferët e të tjetër dhe sistemet solare”, deklaroi ajo, dhe kërkoi ndihmën e udhëheqësve komunalë. “Është tejet me rëndësi që edhe ju të angazhoheni që qytetarët e komunave tuaja të informohen, por edhe është me rëndësi që kjo të ketë përkrahjen e duhur gjatë procesit të aplikimit për qytetarët që kanë nevojë për një gjë të tillë”.

Ndërsa ministri i Financave, Hekuran Murati, përmendi ndikimin që masa për subvencionimin e kursimit të energjisë ka pasur, dhe shprehu pritjen që kjo të vazhdojë edhe nga ndihma e BE-së.

“Kjo masë synimi kishte që të zvogëlonte importin, të ruante ambientin, sepse do shpenzohet më pak energji elektrike, të ruante fuqinë blerëse të familjeve dhe së fundmi kursen edhe buxhetin, sepse në vend që të importonim me çmim 400-500 euro, ne më shumë kishim llogari ta paguanim 120 euro qytetarin tonë”, tha Murati.

Alessandro Bianciardi, përfaqësues i Zyrës së BE-së në Kosovë, tha se një pjesë e kësaj pakoje do të përdoret për banesat sociale me pronësi komunale.

“Sot jemi mbledhur që të diskutojmë për asistencën që do t’u bëhet familjeve që jetojnë në ndërtesat shumë-banesore të destinuara për banim social. Masat do t’i përmirësojnë mbështjellësin e ndërtesës, sistemin e ngrohjes dhe ndriçimit në mënyrë që të reduktojë konsumin e energjisë dhe gjithashtu që të përmirësojnë kushtet për qytetarët që jetojnë aty”, ka thënë Bianciardi.

E për shkak të kësaj, jo të gjitha komunat do të përfitojnë nga pakoja 75-milionëshe.

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, tha se komuna që drejton ka vetëm një objekt të banimit social, i cili është ndërtuar rishtazi e për rrjedhojë, nuk plotëson kriteret e parapara për përfitim.

“Kriteri për aplikim është vetëm për banesa sociale për të cilat disa komuna nuk i kanë fare, edhe pjesa tjetër ka me shku për efiçiencë të energjisë për shtëpi individuale dhe aty munden me apliku qytetarët të të gjitha komunave, por është aplikim individual. Nuk është aplikim i komunës”, ka thënë Muhaxheri. “Nuk do të përfitoj nga ky fond... Kanë mbetur shkollat pa u përfundu, por këtë herë fondi i efiçiencës së energjisë nuk ke për shkolla apo për ndërtesa publike komunale, por për banim social”.

Krahas mospërfitimit nga fondi, si komunë Muhaxheri tha se nuk ka gjetur bashkëpunim te qeverisja e kryeministrit Albin Kurti.

“Bashkëpunimi është i mangët. Përveç me ministrin e Pushtetit Lokal, me të tjerat ministri ka ngecje të madhe të bashkëpunimit”, u ankua ai.

Për pakon e BE-së dhe për bashkëpunimin me Qeverinë nuk folën përfaqësues të të tjera komunave.