Arbëri

Jep dorëheqje një anëtar i Bordit të RTK-së

Valon Ramadani - RTK

Ilir Bytyçi ka dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit të Bordit të RTK-së. Ai ka thënë se arsyeje e dorëheqjes së tij është mosgatishmëria që të barazohet me personat që me veprime e tyre mund t’i kenë kontribuuar përkeqësimit të mediumit publik.

Ai tutje ka thënë se distancohet nga çdo veprim i kundërligjshëm apo shkelje eventuale të kodit etik e profesional si dhe të vlerave njerëzore, pavarësisht kush mund t’i ketë bërë ato.

“Gjatë kësaj periudhe gati 9-mujore sa isha në bord, me qëllim të ngritjes së llogaridhënies dhe transparencës jam munduar të jap kontributin tim profesional në shumë fusha. Ndër to, kam iniciuar kërkesën që RTK-ja t’i nënshtrohet auditimit për vlerësimin e performancës dhe gjendjes financiare nga Zyra Kombëtare e Auditimit, kërkesë kjo që më 22 prill u pasua me vendimin për deklaratën publike nga Bordi për auditimin e RTK-së”, ka shkruar ai në letrën e dorëheqjes. “Prandaj në shenjë pakënaqësie dhe pamundësie për të bërë ndryshime në Bord dhe Menaxhment si dhe me gjithë situatën e krijuar në RTK, unë jap dorëheqje për arsye morale dhe profesionale”.

Ndërkohë dorëheqja e Bytyçit si anëtar i Bordit të RTK-së nuk është pranuar nga kryetari i këtij bordi, Sali Bashota.

Bashota përmes një sqarimi dërguar mediave ka thënë se dorëheqja e Bytyçit është në kundërshtim me ligjin dhe e papranueshme.

“Sipas Ligjit të RTK-së, neni 28, pika 4, ku parashihet shkarkimi dhe dorëheqja e anëtarit të Bordit, thuhet në mënyrë të qartë: "Anëtarët e Bordit mund të japin dorëheqje duke njoftuar me shkrim Bordin të paktën tre (3) muaj përpara .Prandaj, në këtë fazë dorëheqja e anëtarit të Bordit të RTK-së, është në kundërshtim me ligjin dhe si e tillë është e papranueshme” është thënë në njoftimi e Bashotës.

Së shpejti pritet që në Kuvend të shkojë shkarkimi i Bordit të RTK-së.

Image