Sipas burimeve diplomatike, në takim kushtuar planit të BE-së për rritje që do të organizohet në Shkup, do të jenë edhe komisionerja e BE-së për zgjerim Marta Kos dhe drejtori i drejtorisë së përgjithshme për zgjerim Jan Koppman. Takimi do të jetë një rast për të analizuar se si po avancon realizimi i paketës më ambicioze të BE-së për të ndihmuar zhvillimin ekonomik në Ballkanin Perëndimor
Javën që vjen në Shkup do të zhvillohet takimi i liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor kushtuar planit të Bashkimit Evropian (BE) për rritje. Sipas burimeve diplomatike, në takim me liderët nga gjashtë vendet e rajonit do të jenë edhe komisionerja e BE-së për zgjerim Marta Kos dhe drejtori i drejtorisë së përgjithshme për zgjerim Jan Koppman.
Takimet e tilla ishte planifikuar që të zhvilloheshin rregullisht dhe i fundit ishte në Bruksel pasi pati dështuar një takim në Bosnjë-Hercegovinë për shkak të problemeve në organizim.
Takimi në Shkup do të jetë një rast për të analizuar se si po avancon realizimi i këtij plani për rritje në rajonin e Ballkanit Perëndimor, një prej paketave më ambicioze të BE-së për të ndihmuar zhvillimin ekonomik në këtë rajon.
Ambiciet që ishin shprehur më herët si nga liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor ashtu edhe nga vetë presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, se në fund të vitit 2024 do të kryhen pagesat e para nga kjo paketë, nuk janë realizuar. Dhe akoma nuk është e qartë se kur do të mund të kryhen pagesat e para.
Sipas disa burimeve diplomatike në Bruksel kësaj radhe arsyet kryesore për vonesa janë më shumë vonesat nga vendet përfituese sesa nga ana e BE-së. Vendet e rajonit duhet të përmbyllin disa procedura të brendshme në mënyrë që të mund të marrin pagesat e para nga BE-ja.
Nga ana e vetë Komisionit Evropian tash e disa muaj vazhdon të thuhet se “është duke finalizuar hapat në procedurë që do të mundësojnë pagesën e para financimit sa më parë që të jetë e mundur në vitin 2025. Pagesat e para të rregullta pritet që të jenë në tremujorin e dytë dhe të tretë të këtij viti, pasi të përmbushen kriteret përkatëse”.
Problemi me disa vende të rajonit, përfshirë edhe Kosovën, është se para se të marrin pagesat e para me BE-në duhet të arrijnë Marrëveshje për kredi, sepse një pjesë e mjeteve financiare janë kredi të volitshme dhe një pjesë tjetër grante pa kthim.
Këto marrëveshjet kanë karakter të marrëveshjeve ndërkombëtare, prandaj edhe duhet të ratifikohen në Kuvendin e Kosovës me dy të tretat e votave. Në Kosovë akoma nuk është konstituuar Kuvendi i ri pas zgjedhjeve, ndërsa nuk dihet se kur do të formohet qeveria. Kjo do të ndikojë edhe në vonesat e reja në pagesat e para për Kosovën nga kjo paketë.
BE-ja ka vendosur që të gjitha vendeve për të cilat janë aprovuar agjendat e reformave dhe rritjes të paguhet si “pagesë para financuese” shuma prej 7 për qind e mjeteve të dedikuara për atë vend përkatës. Të gjitha vendet e rajonit, me përjashtim të Bosnjë e Hercegovinës, e kanë përmbushur kushtin e miratimit të agjendave të reformave.
Paketa në total është në një vlerë prej 6 miliardë eurosh për të gjitha vendet e rajonit për një periudhën prej vitit 2024 deri në vitin 2027. Nga kjo shumë 2 miliardë janë grante nga BE-ja pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të favorshme. Sipas një përllogaritje jozyrtare Kosova do të mund të përfitojë mbi 880 milionë euro nga ky plan i rritjes. Mbi 250 milionë Kosovës do t’i ndahen si para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të volitshme.
Sipas kësaj, Kosovës do t’i paguheshin 7 për qind në fillim si “para financim”, që i bie rreth 61 milionë euro. Për kokë banori Kosova do të përfitojë më së shumti nga të gjitha vendet e rajonit, nga kjo paketë.
Shqipëria do të përfitojë në total 922 milionë euro, Maqedonia e Veriut gjithsej do të mund të ketë në dispozicion 750 milionë euro, Serbia 1.58 miliard euro, Bosnjë e Hercegovina 1 miliard e 85 milionë euro, ndërsa Mali i Zi 383 milionë euro.