Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka reaguar për një incident që ka ndodhur në komunën që ai udhëheq.
Jashari ka thënë se Behram Jashari e ka sulmuar drejtorin e Bujqësisë, Pylltarisë e Zhvillimit Rural, Sokol Sallahu.
Incident në Komunën e Skenderajt mes një qytetari dhe drejtorit të Bujqësisë
“Sot në vendin e tij të punës është sulmuar drejtori i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Sokol Sallahu, një nga ekspertët e rrallë të kësaj fushe, i vlerësuar jo vetëm nga ne, por edhe nga asociacionet dhe organizatat ndërkombëtare, i cili gjithashtu i përzgjedhur nga Agjencioni Japonez për Ndërtim, për të përfaqësuar Kosovën në Japoni, pa përmendur këtu edhe vlerësime të tjera të rëndësishme për profesionalizmin e tij”, ka thënë në fillim të reagimit Jashari.
Ai ka thënë se e vlerëson lartë punën e Sallahut ndërsa ka shtuar se projektet e subvencionet në këtë komunë fitoren vetëm në mënyrë meritore. Këtu ka reaguar edhe ndaj Behram Jasharit, të cilit i ka thënë se duhet të mësohet të respektojë ligjet e Kosovës.
“Projektet, subvencionet, mbështetja për zhvillimin e bujqësisë përfshirë sektorët e saj, fitohen vetëm në mënyrën meritore, profesionale, pa njoftësi, interferime e kërcënime, qofshin ata edhe kushërinjtë të gjakut tim. I bëj me dije Behram Jasharit dhe të tjerëve si ai, se duhet të mësohen t'i respektojnë rregullat dhe ligjet e shtetit tonë dhe të respektojnë të tjerët, sepse ata që u flijuan për këtë vend, anë e kënd Kosovës, ranë që ky vend të jetë i lirë dhe i zhvilluar, dhe assesi që ne pasuesit e tyre t'i kërcënojmë dhe sulmojmë të tjerët për interesa personale. Komuna e Skenderajt, nën udhëheqjen time, nuk do të jetë e Jasharajve, Mehajve, Lushtakve, Geceve, etj, nuk do të jetë e një familjeje apo grupi të caktuar, por do të jetë e të gjithë qytetarëve pa dallim”, ka shkruar më tej Jashari.
Jashari në fund ka ftuar organet e drejtësisë të merren me rastin dhe që sulmuesi të vihet para drejtësisë.