Arbëri

Jashari: Gjykimi i të akuzuarve për Banjskën tepër i vështirë në rrethanat gjeopolitike në të cilat gjendet Kosova

Avokati Arbër Jashari

Avokati Arbër Jashari ka thënë se gjykimi i 45 personave të akuzuar për sulmin në Banjskë më 24 shtator do të jetë shumë i vështirë për shkak të rrethanave politike dhe gjeopolitike në të cilat gjendet Kosova. 

Të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së, Jashari ka thënë se nevojitet të vihet drejtësi për vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku.

“Është e nevojshme të vihet drejtësi për vrasjen e policit Afrim Bunjaku dhe nuk do të vihet drejtësi pa u gjykuar këta njerëz, çka mendoj se do të jetë tepër e vështirë në kushtet dhe rrethanat politike e gjeopolitike në të cilat gjendet Kosova”, ka thënë ai.

Jashari tutje ka vlerësuar se Prokuroria Speciale ka vepruar shumë shpejt, madje sipas tij, hetimi është kryer në afat rekord. 

“Është mirë që më në fund Prokuroria Speciale pas një pune jashtëzakonisht intensive dhe tepër komplekse ka ardhur deri te përfundimi i hetimeve me sukses. Tani kemi një aktakuzë të ngritur nga prokurori special për rastin më specifik që ka ndodhur nga paslufta. Tashmë përgjegjësia ka emër dhe mbiemër. Ata janë persona të akuzuar dhe po ndiqen penalisht nga ana e Republikës së Kosovës. Është ditur që ky hetim penal nuk ka qenë fare i lehtë. Aktakuza përmban diku 158 faqe, gjë që nuk është tipike për sistemin tonë prokurorial të ballafaqohet me aktakuza të tilla, pra nuk është e zakonshme. Prokuroria ka vepruar shumë shpejt dhe me efikasitet. Hetimi prej një viti për mendimin tim është një afat rekord”, është shprehur ai.

Sa i përket mundësisë për gjykim në mungesë, Jashari ka thënë se fillimisht Prokuroria duhet të marrë të gjitha masat që të bëjë përpjekje për sigurimin e prezencës së këtyre personave. 

“Nëse shteren të gjitha mundësitë dhe kjo gjë është e pamundshme, atëherë në kushtet specifike të parapara nga Kodi i procedurës penale, mund të bëhet edhe një gjykim në mungesë dhe në rast se këta gjinden dhe arrestohen kanë të drejtë të kërkohet që të rigjykohen”, ka thënë ai. 

Sipas avokatit, Prokuroria duhet të dalë me sqarim se pse është ngritur aktakuzë vetëm për 45 persona, pasi është thënë se në ditën kritike kanë qenë të përfshirë rreth 60-70 individë. 

“Prokuroria është dashur të japë sqarim pse vetëm 45 persona, ku mbetën të tjerët, sepse në ditën kritike kur ka ndodhur sulmi në Banjskë është përfolur që kanë qenë rreth 60-70 persona. Nuk e di a nuk ka mundur t’i identifikojë apo nuk ka gjetur prova, por kushdo që ka qenë pjesë e ka kryer veprën penale “pjesëmarrje në grupin e organizuar terrorist”, pavarësisht a ka ndërmarrë ose jo ndonjë veprim. Kjo është diçka që Prokuroria duhet ta sqarojë, apo do të sqarohet gjatë ditëve në vijim”, ka deklaruar ai.