Kryetari i Sindikatës së Arsimit (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se 90 për qind e kanë respektuar në tërësi vendimin e sindikatës që sot të mos mbahet mësimi.
Ai ka thënë se në disa shkolla në Prishtinë janë hapur dyert për mësimin, por se nuk është mbajtur si duhet pasi ka qenë numri i vogël i nxënësve dhe i mësimdhënësve.
“90 për qind e kanë respektuar në tërësi vendimin e SBASHK-ut për mosmbajtje të mësimit. Në disa shkolla në Prishtinë janë hapur dyert për mësim, por nuk është mbajtur si duhet pasi ka qenë i vogël numri edhe i nxënësve edhe i mësimdhënësve. Ne bazohemi në kalendarin e MASH-it për pushim. Suhareka, Hani i Elezit, Kaçaniku, Kamenica etj. janë komunat që po e respektojnë. Në 10 përqindëshin që nuk po e zbatojnë thirrjen tonë janë Prishtina me një pjesë të shkollave në Drenas. Ferizaji nga të gjitha ato shkolla e kanë respektuar vendimin e SBASHK, përveç një shkollë të vogël. Institucionet duhet ta dinë që Sbashk-un e kanë partner për diskutim dhe nuk është mirë që të lajmërohen vendime në orët e mbrëmjes. Nëse Qeveria synon ndonjë ndëshkim për mësimdhënësit apo shkollat që nuk e kanë mbajtur mësimin atëherë edhe ne do të marrim masa ligjore. Nëse dikush duhet të ndëshkohen janë ata që dalin me vendime të vonshme”, ka deklaruar Jasharaj për KOHËN.
Ndërkohë Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) në një komunikatë ka thënë se vendimi që sot të jetë ditë pune edhe në institucionet arsimore është i Qeverisë në shenjë solidarizimi me të gjithë ata që po punojnë pa pushim në përballje me pandeminë.
“Vendimi që dita e hënë (30 nëntor 2020) të jetë ditë pune edhe në institucionet arsimore, është vendim i Qeverisë së Kosovës në shenjë solidarizimi me të gjithë ata që po punojnë pa pushim në përballje me pandeminë. Bazuar në Ligjin për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës, MASh ka nxjerrë Udhëzimin Administrativ për Kalendarin Shkollor 2020/2021, i cili nuk është ndryshuar. Prandaj, MASh fton të gjitha institucionet arsimore që të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë për të realizuar planprogramin mësimor. MASh, po ashtu, iu bënë thirrje të gjitha institucioneve arsimore që të kujdesen për zbatimin e të gjitha rekomandimeve të IKShPK-së dhe MASh-së nga të gjithë akterët pjesëmarrës në shkollë”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Arsimit”, thuhet nga MASH-i.