Analisti serb Dushan Janjiq ka thënë se situata në Serbi është alarmante dhe se rrezikohet të ketë edhe luftë civile.
Në “Interaktiv” të KTV-së, Janjiq, tha se në Serbi më Kosova nuk është çështje. Ai ka thënë se prioritet tash është të shmanget një luftë civile, duke aluduar në situatën e tensionuar që po mbizotëron me protesta masive antiqeveritare që nisën si pasojë e shembjes së një çatie në një stacion hekurudhor në Novi Sad në nëntorin e vitit të kaluar. Nga shembja e çatisë humbën jetën 16 persona.
“...tash prioritet në Serbi është se si t’i ikim një përleshjeje të armatosur apo lufte civile dhe se si t’ia bëjë komuniteti ndërkombëtar që ta parandalojë luftën civile. Por jam optimist se qasja e Komisionit Evropian do të ndryshojë së shpejti”, tha Janjiq.
KOHA: Sot siç e pamë, edhe një student serb që ishte hospitalizuar nga tragjedia e nëntorit në Novi Sad ka vdekur, duke shënuar kështu viktimën e gjashtëmbëdhjetë nga shembja e strehës në stacionin hekurudhor të këtij qyteti vitin e kaluar. Si mendoni se ky lajm do të ndikojë në protestën e studentëve në ditët e ardhshme?
Dushan Janjiq: Ka pasur një ndikim direkt në Novi Sad sot. Ka pasur një protestë me studentë dhe të tjerë në Novi Sad. Kjo është veç një shenjë se Vuçiqi nuk e ka shkatërruar revolucionin shumëngjyrësh. Por ky është më shumë sesa një revolucion shumëngjyrësh. Njerëzit janë të pakënaqur me qeverinë e tij e posaçërisht me korrupsionin. Unë mund të them vetëm një gjë, dhe duke parë edhe atë se çfarë ndodhi në Maqedoni në Beograd apo kudo. Korrupsioni po i vret njerëzit. Njerëz të rinj. Dhe në përgjithësi të rinjtë më nuk janë në gjendje të vdesin për shkak të korrupsionit.
KOHA: A prisni ju që studentët dhe qytetarët serbë do të vazhdojnë të protestojnë pas çfarë pamë javën e kaluar një proteste të madhe – mbase më e madhja në historinë e Serbisë?
Dushan Janjiq: Po e them një gjë që e kam thënë para një muaji në një takim Novi Sad. Nuk është definicion i duhur ‘protestë studentore’ apo ‘protestë popullore’. Ky është një rebelim qytetar ndaj një qeverie autoritare. Tani është duke u qartësuar se rebelimi është duke u shndërruar në kryengritje gjithandej shtetit tonë. Kjo është shumë më shumë sesa protestë, shumë më shumë sesa protestë e studentëve. Studentët po sjellin diçka të re në historinë e Serbisë dhe të rajonit me energji, por porosia e këtyre protestave është që nuk jemi kundër të tjerëve, por në interesin e qytetarëve të Serbisë, drejtësisë, sundimit të ligjit dhe jemi kundër korrupsionit. Por ky momentum shënon diçka të re kur Qeveria më 15 mars zgjodhi policinë, e grupet e organizuara kriminale apo të ashtuquajturit kundërrevolucionarë. Në thelb tash situata është krejtësisht ndryshe. Tani është bërë e qartë jo vetëm për Qeverinë, por për të gjithë dhe jo vetëm në Serbi, se diçka nuk po shkon me këtë Qeveri dhe se qytetarët s’janë problemi.
"Po pres presion nga BE-ja dhe NATO për qetësim të situatës"
KOHA: Pse BE-ja është aq e qetë në lëvizjen protestuese që po shohim në Serbi. Nuk është që kemi parë Bashkimin Evropian të reagojë aq për këto protesta. Çfarë opinioni keni në lidhje me këtë gjë
Dushan Janjiq: Mendoj se minimalisht janë dy arsye për këtë. E para është që lëvizja protestuese është specifike. Kjo lëvizje i sjell publikut shumë porosi sikurse drejtësia sociale, solidariteti, drejtësia, sundimi i ligjit. E nëse e shihni tash në shumë vende të Evropës apo Amerikë, nuk është që janë të përqendruar në sundimin e ligjit. Janë vende që kanë shenja autoritare që janë larg nga demokracia apo rregullat, e këtu duke përfshirë edhe situatën me Gjermaninë, prandaj ato qeveri nuk janë të gatshme për të mbështetur këtë forcë të re në Serbi. Problemi tjetër është korrupsioni i shumë politikanëve në Evropë. Shembull është komisionerja për Zgjerim, (Marta) Kos. Ajo është marionetë e Jankoviqit. Paratë dhe korrupsioni mes Jankoviqit dhe Vuçiqit janë të njohur. Nëse e shihni presidenten e Komisionit Evropian, ajo nuk është po ashtu një person i pavarur. Vetëm t’ju them këtë. Në rregull, ajo po bën këtë kompromis, dhe për kompromis duhet kohë. Por po ju them, për momentin Komisioni Evropian, Brukseli janë duke provuar të kenë një përgjigje të përbashkët për politikat e Vuçiqit. Dhe nuk është që kam vështrim të errët për ta. Në dy ditët e ardhshme ne do të dëgjojmë porositë e reja nga ta. Ata do të dorëzohen për punën e stabilitetit sepse Vuçiqi nuk është garantues i stabilitetit më.
KOHA: Zoti Janjiq, më lejoni të shtroj pyetjen e fundit në lidhje me protestën. Çfarë pritjesh keni? Çfarë prisni ju tash? Zgjedhje të reja, qeveri të re nga SNS-ja apo çfarë parashikimi keni ju?
Dushan Janjiq: Ne nuk kemi pasur qeveri qe dy vjet. Është vetëm një njeri që ka qeverisur. E dini, Milosh Vuçeviqi është askushi. Askujt s’i bën më për të. Se çfarë do të bëhet me qeverinë, kjo nuk është pyetja. Pyetja kryesore është se çfarë do të ndodhë në javët në vazhdim, sepse Vuçiqi ka premtuar kundër-revolucion. Ai i ka thirrur mbrëmë partizanët e lëvizjes së tij—lëvizje që nuk ekziston—por lëvizje që duhet të ndërtohet që të jetë e gatshme për luftime, për barrikada dhe për të luftuar pjesën tjetër të Serbisë për Serbinë. Kjo do të thotë luftë për qeverinë e tij dhe kjo është e dukshme. Ky është realiteti. Unë e di se ai është mjeshtër i manipulimeve dhe propagandës, por kjo propagandë tash është e rrezikshme, sepse ai është nën presion të madh, sepse ai po humb në baza ditore përkrahësit e tij. Dhe në realitet, unë po pres presion nga Bashkimi Evropian dhe NATO-ja, për ta qetësuar energjinë e tij duke e shtyrë për të ndjekur rrugën paqësore. Rruga paqësore duhet të ndodhë dhe është detyrë të formojë qeverinë e re me shumicën e partisë së tij.
KOHA: Zoti Janjiq, me gjithë telashet e brendshme që ka Vuçiqi ai po angazhohet në zënka me fqinjët e tij. Jam i sigurt se e keni parë shpërthimin e Vuçiqit pasi pa një pakt në çështjen e sigurisë të arritur mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, marrëveshje kjo për të forcuar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes mes këtyre shteteve. Serbia e pa këtë si kërcënim. Pse Serbia po ndihet e kërcënuar nga këto lëvizje nga fqinjët e saj?
Dushan Janjiq: Unë të kuptoj ty, por nuk të mbështes në atë që the. Serbia nuk është Vuçiqi. Kur kemi një telashe në Serbi, ajo gjë shumë lehtë mund të transferohet – nëse ai vërtet ka kontrollin mbi ushtrinë dhe policinë në rajon, posaçërisht në Republikën Serbe të Bosnjës. Dhe kjo është pika e dobët dhe alarmi për NATO-n. Kjo nuk është çështje për qytetarët serbë të cilët janë kundër Qeverisë. Kjo çështje është për Vuçiqin, Qeverinë dhe NATO-n. Nëse nuk do ta parandalojnë për të dërguar paramilitarët apo për t’i ndihmuar paramilitarët e Dodikut që janë të trajnuar në Moskë dhe që janë të lidhur me Moskën –atëherë ky do të jetë problemi. Sepse natyrisht se do të ketë reagime të boshnjakëve, Qeverisë së Bosnjës, por unë po shpresoj se NATO-ja ka një pasqyrë të pastër dhe besoj se takimi Vuçiq-Rutte shkoi mirë, ndonëse unë s’i besoj Vuçiqit. Por NATO-ja është e gatshme dhe ajo duhet ta parandalojnë çdo lloj transferi të krizës serbe e posaçërisht përmes armëve dhe akteve terroriste në Bosnjë.
Janjiq: Njerëzit e Radoiçiqit mbronin Vuçiqin gjatë protestës së 15 marsit
KOHA: A mendoni se Vuçiqi po dëshiron ta zhvendosë vëmendjen nga brenda kur po flet për Paktin e Mbrojtjes mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës dhe si e shihni ju këtë pakt?
Dushan Janjiq: Unë po flisja vetëm për Bosnjën. Kur flasim për Kosovën, Banjskën, në po flasim tani për pika të sigurisë. Siç e di, Radojçiqi nuk është arrestuar. Procesi as që ka filluar. Njerëzit e Radojçiqit ishin në parkun e famshëm gjatë protestës duke e mbrojtur Vuçiqin. Ata vërtetë janë të përfshirë në sulme ndaj njerëzve që po protestojnë kundër Vuçiqit dhe për këtë arsye Kosova nuk është në rrezik tash për tash.. Serbia është tash në rrezik pas problemeve me Banjskën dhe me serbët e Kosovës, çështjet e të cilëve nuk janë zgjidhur në mënyrë të duhur.
KOHA: Në çfarë kuptimi jeni të rrezikuar nga serbët e Kosovës?
Dushan Janjiq: Do të ta tregoj. Serbët e Kosovës, apo njerëzit të cilët janë të punësuar, tash janë në të ashtuquajturën Zonë e Veçantë e Kujdesit Social. Shumë nga ta ishin nën presion për të ardhur në Beograd për të protestuar pro Vuçiqit. Dhe këtu nuk ka përgjegjësi vetëm Vuçiqi, por është edhe përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës.
KOHA: Pse është përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës dhe çfarë duhej të bënte në këtë rast Qeveria e Kosovës?
Dushan Janjiq: Më fal, por do të them drejtpërdrejt. Njerëzit janë të izoluar nga institucionet. Dhe në rregull, Kosova s’ka qeveri tash, e ka një qeveri teknike. NATO-s nuk po i bën aq për këtë punë, dhe serbët e Kosovës duhet ta kuptojnë se ata nuk po shpëtohen nga Vuçiqi nga askushi. Ata janë në një situatë të rrezikshme. Por sa i përket konfliktit, ata nuk janë në gjendje të prodhojnë konflikt në Kosovë. Fatkeqësisht, paramilitarët serbë, dhe rrethi ekstremist janë duke u përdorur kundër serbëve.
KOHA: Si mendoni se kjo situatë e brendshme në Serbi mund të reflektojë në Kosovë. Ose mbase jo aq duke qenë se Vuçiqi ka shumë probleme tanimë në Beograd. Çfarë opinioni keni ju për këtë?
Dushan Janjiq: Nuk e di se pse jeni të obsesionuar me këtë. Kosova nuk është çështje më në Serbi dhe për njerëzit në Serbi tani për tani. Kosova tani është temë vetëm për NATO-n, komunitetin ndërkombëtar, për të parandaluar ndonjë krizë, pra të ketë një nivel të sigurisë që të parandalohet ndonjë transfer i konfliktit në veri të Kosovës. Për serbët, qytetarët e Serbisë, fatkeqësisht, kjo nuk është çështje. Po e them fatkeqësisht, sepse ne nuk mund ta stabilizojmë Serbinë nëse nuk marrim pjesë në normalizimin e raporteve me Kosovën. Por tash prioriteti në Serbia është se si t’i ikim një përleshjeje të armatosur apo lufte civile dhe se si t’ia bëjë komuniteti ndërkombëtar që ta parandalojë luftën civile. Por jam optimist se qasja e Komisionit Evropian do të ndryshojë së shpejti.
KOHA: Pyetja ime e fundit është se ju e keni parë që Peter Sorensen ishte në Kosovë. Dhe dha disa porosi dhe ai do të vijë edhe në Serbi. Si e shini të ardhmen e dialogut të Brukselit sidomos duke pasur parasysh rrethanat me të cilat po përballet Serbia me protestat e brendshme?
Dushan Janjiq: Fillimisht, unë do t’i uroja gjitha të mirat Sorensenit por ai është një burokrat. Ai është një diplomat dhe është dërguar në një mision nga Marta Kos apo presidentja e Komisionit Evropian. Por tani nuk është koha për këto porosi apo për këto vizita. Si mund të vish kur në një anë ju e keni Kosovën që është shumë e rëndësishme, por ana tjetër është me një qeveri teknike, por si mund të vini në Serbi në mes të këtij pështjellimi. Ai nuk është i çmendur të vijë tash në Serbi. Me kë të flasë tash dhe porositë e tij burokratike për dialogun, për normalizimin duken gjëra të mira, por janë aq larg realitetit. Por do ta shohim Sorensenin prapë, por tash nuk është koha e dhe nuk ka vend për dialog e negociata derisa të qetësohet gjendja këtu.
KOHA: Ju falënderoj për kohën zoti Janjiq.
Dushan Janjiq: Jeni të mirëseardhur.