Arbëri

Janjiq: Plani evropian, hap drejt njohjes së plotë të Pavarësisë së Kosovës

Hap drejt njohjes së plotë të Pavarësisë së Kosovës e ka parë Planin evropian, analisti i njohur serb, Dushan Janjiq. Në “Interaktiv” të KTV-së të premten, ai ka thënë se dy shtetet i presin sfida të shumta po që se krerët e shteteve arrijnë gjuhën e përbashkët për dakordim për zbatimin e këtij plani, në takimin e së shtunës në Ohër. Megjithatë, sipas tij, s’është koha që të shtunën të ketë nënshkrime.

“Mendoj se nesër mund të presim progres serioz në diskutime për zbatimin e planit, në veçanti për aneksin apo amendamentet në propozimin ekzistues të Bashkimit Evropian. Sidoqoftë ne duhet të jemi optimistë, por jo të presim se puna do të kryhet në Ohër”, ka thënë ai.

Janjiq ka thënë se ky dokument përmban disa paqartësi për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që, sipas tij, lidhet me dy nene.

“Një është zbatimi i marrëveshjeve të Brukselit, duke përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe plus është neni 7 i marrëveshjes, që flet për një lloj autonomie për komunitetin serb e plus edhe statusi i Kishës Serbe”, ka thënë ai. Sipas tij, mosmarrëveshjet lidhen për afatet dhe harmonizimin e dy “çështjeve të ndryshme, por që lidhen me njëra-tjetrën”.

Ai ka thënë se për Kosovën rëndësi ka edhe funksionalizimi i institucioneve në veri, pas dorëheqjes së serbëve.

Sa i përket propozimit evropian, ai ka thënë se nuk ka parë argumente serioze se përse ai s’duhet të diskutohet.

“Kur e kemi në tavolinë çështjen e Asociacionit dhe nenin 7 sa u përket të drejtave të serbëve në arsim, trashëgimia kulturore, unë e kam parë këtë vetëm si një mundësi të mirë për të dyja palët”, ka thënë Janjiq.

Sipas tij, për serbët është mundësi e mirë që me këtë marrëveshje të marrë “nivel të lartë të autonomisë”, por ai ka shtuar se në Kosovë modeli i respektimit të të drejtave të minoriteteve është me të drejtë i cilësuar si model i mirë.

“Çfarë ka problem me Asociacionin, në fakt është perceptimi i shumë njerëzve në Kosovë dhe disa të tjerëve në Serbi. Këta njerëz ëndërrojnë për fuqinë ekzekutive. Por kjo gjë nuk është e mundshme. Dhe ajo ideja e kompromisit që e quajnë si diçka autonomisë kulture serbe është më e mirë sesa Asociacioni i komunave me shumicë serbe”, ka deklaruar Janjiq.

Analisti serb ka deklaruar se për Kosovën ky plan është më i lehtë sesa për Serbinë. Sipas tij, kompromisi i Kosovës është që ka pranuar të diskutojë për detyrimet nga marrëveshjet e Brukselit. Ai ka thënë se zgjidhja e “problemeve të minoriteteve” është edhe çështje e njohjes ndërkombëtare.

Janjiq ka thënë se nëse palët pajtohen përfundimisht për këtë plan, Kosova do të arrijë anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. Ai ka thënë se po të arrihej dakordimi dhe kur të përmbushet implementimi, “do të ishte më e vështirë për disa vende të Bashkimit Evropian që të vazhdonin të mos e njihnin Pavarësinë e plotë të Kosovës”.

“Do e thosha në një mënyrë tjetër. E shoh këtë plan për të cilin janë pajtuar si një hap drejt njohjes së plotë të Pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë si një shtet i pavarur”, ka thënë ai, kur është pyetur se a sjell ky plan njohje de facto.

Janjiq ka përmendur po ashtu telashet që “mund ta presin Serbinë” pas Ohrit. Sipas tij, në Serbi ka shumë ndikim të fortë të të huajve, siç është rasti i Rusisë. “Rusia nuk është e interesuar për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, apo fqinjësi të mirë siç e kërkon Bashkimi Evropian apo marrëveshja që do të diskutohet në Ohër”.

Janjiqi ka thënë po ashtu se edhe dy liderët e shteteve, Albin Kurti, si kryeministër i Kosovës dhe Aleksandar Vuçiq, si president i Serbisë, duhet t’i ndryshojnë politikat.

“Kurti ishte një ithtar i politikës së reciprocitetit. Normalizimi nuk është politikë e reciprocitetit. Mund të priten masa reciproke, por politika e dialogut është politikë e bashkëpunimit, e jo e reciprocitetit. Në anën tjetër, Vuçiqi ishte ai që kishte ndryshuar politikat e tij karshi Kosovës disa herë. Normalizimi nuk është proces i reciprocitetit që edhe Vuçiqit i pëlqen. Dhe po ashtu nuk është normalizimi proces i mbajtjes së një konflikti të ngrirë. Pra, ky në fakt është një proces që mund të ishte finali, për politikanë shqiptarë që shteti i tyre të njihej plotësisht në komunitetin ndërkombëtar, e për Serbinë në njëfarë mënyrë që të mos lejonte që një proces i tillë të hapte mundësinë e tendencave të njëjta, p.sh. çështjen e të drejtave të hungarezëve në veri të Vojvodinës”, ka thënë Janjiq.

Kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë do të takohen të shtunën në Ohër të Maqedonisë së Veriut për të diskutuar për planin e zbatimit të propozimit evropian, për përmbajtjen e të cilit u pajtuan më 27 shkurt.