Arbëri

Jakurti: Lufta tregtare mes SHBA-së dhe Kinës s’do të ketë efekt direkt në ekonominë e Kosovës

Edison Jakurti

Ekonomisti Edison Jakurti ka deklaruar se sipas projeksioneve ekonomike, lufta tregtare mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës nuk do të ketë efekt direkt në Kosovë.

Ai ka thënë të hënën në “Interaktiv” të KTV-së se efektet mund të jenë indirekte, derisa shtoi se efektet mund të vërehen nëse do të kenë probleme vendet prej ku Kosova import mallra.

“Efekti direkt i një politike të tillë tregtare nuk do të jetë i madh në ekonominë e Kosovës, por mund të ketë efekte indirekte...Në disa vende po flitet për recesion. Nëse kriza është në vende të tjera, edhe në Kosovë do të ketë efekte, por po them se efekt të drejtpërdrejt s’do të ketë”, ka thënë Jakurti.

Ai ka shtuar se masa tregtare e presidentit amerikan, Donald Trump, ndaj Kosovës, mund të ketë efekte te vendet e tjera.

“...Në vendet e tjera ku varet importi i Kosovës dhe kanë probleme, do të ketë probleme që mund të vijnë edhe në Kosovë”, ka theksuar ai.

Banka Botërore ka publikuar një raport ku parasheh që Kosova të ketë rritje për 3.8 për qind në vitet 2025-2026. Sipas raportit, rritja do të mbështetet nga konsumi dhe aktiviteti investues.

Megjithatë, pasiguria ekonomike—veçanërisht në lidhje me politikën e tregtisë globale—është rritur muajt e fundit.  Vonesat në formimin e një qeverie të re mund të ndikojnë negativisht në investime dhe zbatimin e agjendës së reformës strukturore. Një ngadalësim i mëtejshëm i aktivitetit ekonomik në BE, si dhe rritja e pasigurisë tregtare, ka potencial të ndikojë negativisht në rritjen ekonomike”, thuhet në Raportin e Rregullt Ekonomik të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.

Aty u theksua se ekonomia e Kosovës vazhdoi me performancë pozitive, por u përmend që Kosova duhet të gjenerojë burime shtesë për nevojat e saj në rritje të investimeve, përfshirë fushat e energjisë, infrastrukturës, kapitalit njerëzor dhe lidhshmërisë.

Jakurti ka potencuar se rritja e çmimeve në Kosovë ka nisur nga muaji mars, teksa tha se edhe euros i ka rënë vlera, ku 100 eurot sot kanë rënë në 75 euro.