Një ditë pas ftesës që iu bë kryeministrit Ramush Haradinaj nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë, u kumtua se edhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, e tash kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi është ftuar për intervistim atje.
Këtë e ka bërë të ditur vetë Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, ku ka shkruar se duhet të paraqitet në Hagë më 24 korrik të këtij viti.
Ai ka thënë se pavarësisht se e kundërshton, në Hagë do të paraqitet, ndonëse nuk ka thënë se në çfarë cilësie udhëton atje.
“Me besim në drejtësinë, i bindur se e vërteta është që gjatë luftës në Kosovë, Serbia ka kryer gjenocid, kurse konstruktet e saj monstruoze për UÇK-në do të bien poshtë, unë do të jem atje për të dhënë kontributin tim për ndriçimin e së vërtetës historike”, ka thënë Krasniqi.
I menjëhershëm ishte edhe reagimi i liderit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, pas ftesës për Jakup Krasniqin. Ai, në Facebook, ka shkruar se Krasniqi edhe këtë herë do të dijë ta mbrojë luftën e drejtë të UÇK-së.
“Ashtu siç ka ditur disa herë ta mbrojë pastërtinë dhe luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe këtë radhë, z. Jakup Krasniqi do të dijë ta mbrojë luftën e drejtë të UÇK-së. Asnjë gjykatë nuk do të arrijë ta njollosë luftën tonë të drejtë”, tha Limaj.
Ftesën e Speciales drejtuar Krasniqit, po e sheh si qëllim për t’i dëmtuar vlerat e UÇK-së, bashkëpartiaku i tij, Zafir Berisha, derisa thotë se ftesave që po u bëhen ish-luftëtarëve të UÇK-së, po u gëzohet opozita.
Edhe paraqitjen e ish-pjesëtarëve në Tribunalin për ish-Jugosllavi, e edhe ftesat aktuale për intervistime, Jakup Krasniqi i ka quajtur raste të kurdisura.