Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, ka thënë se legjislatura aktuale do të mbahet mend për shumë shkelje kushtetuese.
Ai ka konsideruar se janë ende disa ligje të cilat do të bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si Ligji për Fondin Sovran.
I ftuar në “60 Minuta” të KTV-së, Jakaj i ka akuzuar Qeverinë dhe Kuvendin për mosseriozitet.
“Kjo legjislaturë do të mbahet mend për antikushtetutshmëri. Kuvendi do të mbahet mend për shumë shkelje kushtetuese sepse ende janë edhe disa ligje që ne besojmë se do të bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ta zëmë Ligji për Fondin Sovran, është ende në Kushtetuese dhe konsiderojmë që ka shkelje kushtetuese e probleme ligjore. Në asnjë moment Qeveria, Kuvendi – përfshirë edhe grupet parlamentare opozitare – nuk kanë qenë tamam serioze për ndryshimin e ndonjë ligji të caktuar”, ka thënë ai.
Jakaj ka shtuar se ka mungesë të llogaridhënies, si nga Qeveria ashtu edhe nga grupet parlamentare.
“Përveç mungesës së llogaridhënies së qeverisë, ministrave, kabinetit qeveritar, kryeministrit, ka ndodhur edhe fenomeni i mungesës së deputetëve kur ata e parashtrojnë pyetjen parlamentare. Kjo nuk shpjegohet. Kur bëhet pyetja, do të duhej të jenë në parlament. Seanca e sotme nuk filloi me pika të reja, ajo ka filluar me pika të mbetura para datës 31 korrik 2024. Sepse në rregulloren e kaluar Kuvendi ka shkuar në pushim në kohën kur ka konsideruar se janë kryer punët, kur secila pikë e rendit të ditës ka përfunduar, ndërkohë më 31 korrik 2024 është vendosur në Rregullore të Kuvendit që detyrimisht të shkojë në pushim. As në shkolla e në fakultet periudha e punës nuk mbaron pa përfunduar mësimi, në ndërkohë Kuvendi e përfundon punën në mungesë të zbatimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Paga, me mungesë të zbatimit të Ligjit për Zyrtarët Publikë, etj”, ka deklaruar ai.