Naim Jakaj, hulumtues i lartë në IKD, ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka shkelur ligjin kur ka deklaruar se do t’i rrisë pagat. Kurti të martën në një konferencë para mediave ka thënë se nga viti 2025 do të ketë rritje të pagave në sektorin publik. Siç ka thënë ai, nga janari do të jetë një pjesë e rritjes së pagave, e nga korriku i 2025-s do të jetë pjesë e dytë e rritjes.
Jakaj ka theksuar se veprimi i Kurtit mund të jetë manovrim elektoral, por se nuk ka të drejtë ta bëjë.
“Vërehet që është vendim elektoral dhe ka mundësi që është i kundërligjshëm, sepse me reformën në administratën publike më 2022 është thënë se Ligji për pagat në sektorin publik do të bëhet me qëllimin që në kohë të fushatës elektorale të mos dalin kryeministrat, ministrat apo qeveritë të premtojë apo të marrë vota në bazë të votë ad hoc. Sipas Ligjit për pagat, sot kryeministri ka shkelur Ligjin për pagat në sektorin publik me deklarimin e tij se me rritjen prej 55 euro vlera e koeficientit nëse është 5.1 kalon 5.6... kryeministri në një konferencë e ndryshoi ligjin. Nuk ka të drejtë ta bëjë këtë”, ka thënë ai në “Interaktiv”.
Kurti ka deklaruar në konferencë se zyrtari që aktualisht e ka koeficientin e pagës 5.6, në janar do t’i bëhet 6.1 e në korrik 6.6. Por, Jakaj ka shtuar se ndryshimi i koeficienteve bëhet me miratim të ligjit dhe jo përmes konferencave.
“Duket se është një improvizim që të mos duket që vlera e koeficientit është 118 ose 120 ose 125. Nuk do duhej të bëhej kështu. Do duhej vlera e koeficientet të shënohet me ndarje buxhetore. Sot dalja dhe të thuhet se ndryshohen koeficientet, nuk bëhet me konferencë, bëhet duke miratuar ligj për pagat në sektorin publik”.