Arbëri

Izolimi i 63 punëtorëve të KEK-ut nuk do të ndikojë në furnizimin me rrymë

Korporata Energjetike aktualisht po funksionon me 63 punëtorë më pak.

Ata janë vetizoluar, pasi kishin pasur kontakte me 9 punëtorë që ishin konfirmuar se janë infektuar me COVID-19.

Megjithatë, zvogëlimi i numrit të punëtorëve, sipas zëdhënësit të KEK-ut, Skender Bucolli, nuk do të ndikojë në punë dhe furnizimin me energji dhe sipas tij, situata është e menaxhueshme, raporton KOHA.

Infektimi i kolegëve të tyre me COVID-19, sipas punëtorëve të kësaj korporate, nuk ka ndikuar në punën e përditshme të tyre.

Por, punëtorët e KEK-ut thonë se e kanë të vështirë të respektojnë rekomandimet e Institutit të Shëndetësisë Publike, shkaku i hapësirave të kufizuara.

KEK-u ka bërë të ditur se 46 nga 63 punëtorët që janë vetizoluar, tashmë janë testuar për COVID-19, e së shpejti pritet edhe testimi i 17 punëtorëve të tjerë.

Të enjten e kaluar, 5 punëtorë të Korporatës Energjetike rezultuan pozitivë me koronavirus, duke e çuar numrin e punëtorëve të infektuar nga kjo ndërmarrje në 9.