Arbëri

Izbica që nga “zona e sigurt” u kthye në zonën e një prej masakrave më të mëdha në Kosovë

Katër ditë pas intervenimit të NATO-s mbi caqet ushtarake e policore serbe më 24 mars të 1999-s, në zonën e Drenicës ndodhi një nga masakrat më të mëdha në Kosovë.

Fshati Izbicë i Skenderajt, në të cilin strehoheshin edhe banorë të ikur nga disa fshatra të komunës, u shndërrua më 28 mars në zonë krimi, teksa rreziku për masakra në fshatra të Drenicës rritej.

Aty, të dielën e Bajramit të 28 marsit, në një livadh do të pushkatoheshin shumë civilë. 12 i mbijetuan krimit. Mes tyre është edhe Milazim Thaçi nga fshati Burojë, që pati kërkuar strehim të sigurt nga forcat serbe në Izbicë.

24 vjet pas, ai e rrëfen tmerrin që pati përjetuar kur u përball me forcat serbe.

“Qaty tu hangër bukë, qashtu kapak, veç kur kanë dalë, si prej dheu. Veç kur kanë dalë e gjujshin, na kqyrshim çka u ba. Ngje nuk kam sa janë kanë se nuk kam mujt me i ngje, veç plot u mush, edhe tani na kanë nda burrat açik edhe gratë me i nisë për në Shqipëri. Thojshin edhe erdh hesapi tu u ulë aty rend në stom të udhës”, tha Thaçi.

Pas kësaj forcat serbe qëlluan mbi civilët për t’i vrarë 147 civilë. Varrimi i tyre u bë pak ditë pas masakrës.

“147 i kena varros të mërkurën, të dielën ata na kanë ba batare. Veç u mbet një plak e një plakë e nuk kemi mujt atë natë me i varros...janë kanë ushtarët tonë, civilë, ballallarët e atyre që kanë pshtu, por plot kanë qenë”, tha Thaçi.

Kjo mizori do të tentohej të fshihej. Vrasja e dytë për të vrarët në Izbicë do të ndodhte me varrimin e tyre në lokacione të ndryshme. Disa syresh vite më vonë u gjetën në varrezën masive në Petrovo-Sello në Serbi, për t’u rivarrosur në Kosovë.

Disa nga të mbijetuarit e kësaj masakre dëshmuan në gjykimin kundër Sllobodan Millosheviqit.

Njëri prej tyre ishte Mustafë Draga, që vdiq muaj më parë. Në majin e 2020-s ai, në një intervistë për KOHËN, pati rrëfyer mbi përballjen me atë që u identifikua si “Kasapi i Ballkanit”.

“Po nuk u nijshe mirë por çka me ba. Po kur e kujtojsha anën tjetër ku ish kanë e ku kish ardhë. Ai ish në kllup të zezë, e unë isha në kllupë të bardhë, të kuqe. Kunrej tina, unë beg isha aty, se nuk kisha ba kurrfarë zullumi, as vrasje, as kurrfarë...Ai kish ba që me u çudit bota se jo...si kuna qekjo dergja që u ra qetash që e ka vra krejt botën (COVID 19)”, tha Dragaj.

KOHA ka kërkuar informata nga Prokuroria Speciale për numrin e personave të hetuar e të gjykuar për këtë masakër, porse nuk ka marrë përgjigje.

Vitin e shkuar u ngrit aktakuzë për krime lufte në Izbicë ndaj kosovarit Muhamet Alidemaj. Aktakuza e ngarkon atë se gjatë periudhës kur është kryer masakra, bashkë me pjesëtarë të tjerë të forcave policore e ushtarake serbe, i kanë ndarë me dhunë gratë e fëmijët dhe i kanë detyruar të shkonin drejt Shqipërisë. E burrat i kanë ekzekutuar në vend.