Përfaqësues të Konventës Kombëtare për BE-në kanë biseduar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për Kosovën, në kuadër të dialogut të brendshëm për Kosovën.
Siç raporton agjencia serbe e lajmeve Tanjug, përfaqësuesit e Konventës Kombëtare për BE-në, që mbledh mbi 700 organizata të shoqërisë civile, kundërshtojnë mbajtjen e gjendjes së konfliktit të ngrirë rreth Kosovës, transmeton Koha.net.
Kryetarja e Fondit për përsosmëri politike, Sonja Liht, tha në panelin “Aspektet politike të zgjidhjes gjithëpërfshirëse të çështjes së Kosovës” se për shoqërinë dhe vendin ka rëndësi të jashtëzakonshme që ka nisur dialogu i brendshëm për Kosovën dhe se këtë rast duhet shfrytëzuar për të gjetur zgjidhjen.
Siç citohet të ketë thënë ajo, mbetet përshtypja se shumica janë për status quos, “por, si do të ishte ndryshe kur janë të shumtë ata që nuk dinë shumë ose nuk janë të informuar, por edhe të tillë të cilët mendojnë me emocione, ndërsa emocionet nuk ‘janë aleatët më të mençur’”, transmeton Koha.net.
Vera Jovanoviq, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike, tha se asnjë nga qëllimet e dialogut të brendshëm nuk është përmbushur plotësisht deri më tash, madje është vënë në pikëpyetje zgjidhja paqësore, ndërsa është përjashtuar përfshirja e të gjitha shtresave të shoqërisë në të.
Sipas Dushan Milenkoviqit, nga Qendra për Dialog Shoqëror dhe Nisma Rajonale, “është e domosdoshme që shkëmbimi i koncesioneve në dialog të bëhet me drejtësi. Ajo që ka rëndësi të veçantë është Asociacioni në thelb i fuqishëm i komunave serbe, mbrojtja e trashëgimisë kulturore, si dhe përfshirja e serbëve të Kosovës në dialog”.
Milenkoviq thotë se Asociacioni duhet të formohet asisoj “që të bëjë të mundur mbetjen e serbëve (në Kosovë), të bëhet e mundur kompetenca ekzekutive që Prishtina e kundërshton, si dhe financimi i pandërprerë nga Beogradi, deri sa të mos forcohet sektori privat në shkallë të mjaftueshme”.
Ivan Gjuriq, nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, ka thënë se për zgjidhjen e konfliktit të Kosovës duhet të merret parasysh se cili ka qenë shkaku i shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës.
“Serbisë nuk i është marrë Kosova me luftë, por me mënyrën si e ka trajtuar Kosovën. Që të jetojmë në paqe duhet të ndriçojmë faqet më të errëta të së kaluarës dhe të kërkojmë falje”, ka thënë Gjuriq, transmeton Koha.net raportimin e Tanjugut.
Nga Këshilli i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Izabela Kisiq prezantoi qëndrimin e kësaj organizate, sipas të cilës, pa shqyrtimin e natyrës së problemit të Kosovës dhe të historisë së saj, nuk mund të ketë zgjidhje reale as të qëndrueshme.
Ajo tha se ndarja e Kosovës është e pamundur, sikurse edhe kthimi në të vjetrën.
“Ndarja e Kosovës në bazë të parimeve etnike është e pamundur, e po ashtu çështja e Kosovës nuk mund të krahasohet me Republika Serbska”, ka thënë ajo.
“Është interes i Serbisë që Kosova të anëtarësohet në BE dhe në OKB”, ka thënë Kisiq.
Siç është shprehur Sonja Stojanoviq, nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë, ajo që e shqetëson është fakti se hulumtimet e deritashme tregojnë se serbët në veri të Kosovës më shumë ua kanë frikën strukturave mafioze serbe, sesa fqinjëve shqiptarë.
Drejtori i Komitetit të Juristëve për të Drejtat e Njeriut, JUKOM, Millan Antonijeviq, ka thënë se “marrëdhëniet e ngrira dhe status quo nuk janë zgjidhje po deshëm përmirësimin e jetës së serbëve në Kosovë”.
Sipas Dragisha Mijaçiqit, nga organizata InTER, “është realitet se Serbia, herët a vonë, do të nënshkruajë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën” dhe, siç është shprehur ai, shtyrja e punës në këtë marrëveshje “është në kundërshtim me interesat kombëtare serbe, ndërsa do të ketë ndikim negativ edhe në mbijetesën e serbëve në Kosovë”.
“Duke nënshkruar Marrëveshjen e Brukselit, Serbia ka pranuar rendin kushtetues të Kosovës që nënkupton shuarjen e institucioneve të Serbisë në Kosovë. Ky sot është një proces i pakthyeshëm dhe na mbetet vetëm të punojmë për avancimin e zgjidhjeve ekzistuese”, ka thënë Mijaçiq, përcjell Koha.net.
Ai ka përmendur katër qëllime për Serbinë: gjetja e zgjidhjes që garanton siguri dhe prosperitet të serbëve në Kosovë, dhe në kuadër të tij – ruajtja e komunitetit serb në Kosovë, formimi i Asociacionit të komunave serbe, mbrojtja e trashëgimisë kulturo-historike serbe dhe zgjidhja e çështjeve ekonomike; forcimi i besimit të ndërsjellë midis serbëve e shqiptarëve, sidomos forcimi i bashkëpunimit ekonomik midis Serbisë e Kosovës; kthimi në Kosovë i serbëve të zhvendosur; dhe fokusimi në “perspektivën evropiane të Serbisë e të Kosovës”.
Për Stefan Surliq nga Qendra për Studime Ndërdisiplinare të Ballkanit, “e vetmja zgjidhje për Kosovën është marrëveshja që serbëve iu ofron ndjesinë sikur jetojnë në Serbi, ndërsa shqiptarëve sikur kanë realizuar shtetësinë e vet”, transmeton Koha.net raportimin e Tanjugut.
Surliq e ka porositur Vuçiqin “të shfrytëzojë mbështetjen e liderëve evropianë për arritjen e marrëveshjes dhe zgjidhjen e çështjes së Kosovës”.
“Konflikti i ngrirë do të na përballte me popullatë që nuk ka kurrfarë identiteti me Serbinë. Ndarja për territorin e jug të Ibrit po ashtu nuk është zgjidhje meqë ata kështu do të ishin të dënuar në margjinalizim”.