Arbëri

Isufi: Autobusët jo-urbanë u trefishuan, ndikuan në shtimin e kolonave

Drejtori i Trafikut Urban, Mentor Isufi, deklaroi se mbyllja e rrugës “Xhorxh Bush” nga 26 nëntori në Prishtinë, ka qenë e qëlluar, por që ka sjell probleme për qytetarët.

Ai deklaroi në SOT të KTV-së të hënën se kolona janë krijuar për shkak të devijimit të linjave, derisa shtoi se autobusët jo-urbanë janë trefishuar në këtë rrugë, me ç’rast kanë rënduar komunikacionin.

“Ka qenë ide e qëlluar, ashtu që është shijuar në kë to festa të fundvitit, por ka ndodhur një problem ku qytetarët kanë qenë shumë të revoltuar për devijimin e linjave të trafikut urban. Kështu është dashur të behet devijimi i linjave, për të kaluar kah rruga ‘Robert Doll’. Ka pasur edhe kolona të gjata pasi të gjithë autobusët kanë hyrë në atë pjesë të rrugës. Duhet edhe inspektorati dhe Policia të marrin masa, pasi autobusët që s’janë urbanë, s’e kanë të lejuar të futen në qendër të qytetit. Është trefishuar numri i tyre. Kemi pasur probleme të mëdha dhe kolona të gjata në ‘fytin’ në hyrje të rrugës ‘Robert Doll’”, deklaroi Isufi.

Sipas tij, është duke u punuar edhe në zgjerimin e linjave të reja të autobusëve, me qëllim që edhe banorët e fshatrave më të largëta të Prishtinës, të përfshihen në linjat e Trafikut Urban.

Kjo sipas Isufit, do të bëjë edhe migrimin e pjesëve rurale.

“Kemi punuar për zgjerimin e linjave të reja, që do të përfshijë më tepër pjesa rurale. Do të ndalim migrimin nga pjesa rurale, duke iu mundësuar linja të transportit të rregullt. Pika më e lartë do të jetë në fund të Prapashticës ku planifikohet të zgjerohet edhe në lokalitete të tjera”, tha ai.

Për ankesat e qytetarëve, Isufi theksoi se merren me secilën ankesë veçanërisht.