Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka thënë se nuk e di nëse është intervistuar dikush ndonjëherë në Zyrën e Kryeministrit, ashtu siç ka kërkuar kryeministri aktual, Albin Kurti, të japë dëshminë e tij, të kërkuar nga Prokuroria Speciale.
Në konferencën për media të thirrur të hënën, Isufaj ka thënë se gjatë kohës sa është në krye të këtij posti, nuk ka pasur raste të tilla.
Ai ka kërkuar nga Qeveria që të tregojë përkushtim ndaj sundimit të ligjit dhe ta shmangë retorikën që synon politizimin e drejtësisë.
“Ligji është i njëjtë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe zyrtarët e lartë shtetërorë. Ftesa për dhënie të dëshmisë është procedurë e rregullt dhe çdo person që ftohet ka përgjegjësi ligjore të bashkëpunojë me institucionet e drejtësisë, andaj u bëj thirrje të gjitha institucioneve, përfshirë edhe Qeverinë e Kosovës që të tregojë përkushtim ndaj sundimit të ligjit dhe të shmangin retorikën që synon politizimin e drejtësisë. Nuk jam këtu për të komentuar deklaratat e askujt se fare nuk më interesojnë, po flas atë që unë di dhe që mendoj se duhet bërë”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se deklaratat denigruese dhe fyerjet ndaj prokurorëve minojnë integritetin dhe sistemin e drejtësisë.
“Sistemi Prokurorial dhe ai Gjyqësor nuk janë për të bërë skenarë, ne punën tonë e kemi të përcaktuar me ligj dhe Kushtetutë dhe nuk bëjmë dallime as për nga pozita as për nga emërimi. Unë nuk kam informacione nëse ndokush ndonjëherë është intervistuar në zyrën e Kryeministrit, ndoshta edhe mund të ketë, por unë nuk e di. Në këto pesë vjet sa jam kryeprokuror i kësaj prokurorie, raste të tilla nuk ka pasur. Deklaratat denigruese dhe fyerjet ndaj prokurorëve dhe Prokurorisë jo vetëm që minojnë integritetin dhe sistemin e drejtësisë, por e cenojnë edhe besimin e publikut në sundimin e ligjit”, ka thënë ai.
Kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar të dielë në podcastin "Rrjedha", i transmetuar në KTV, se Isufaj është “regjisori i një pamjeje ku duhet të prodhohet një lajm se kryeministri i Kosovës intervistohet për një rast korrupsioni”, teksa është pyetur pse s’po pranon të shkojë në Prokurori për të dhënë dëshminë lidhur me hetimet mbi rezervat shtetërore.
“...Aty nuk duhet si dëshmitar, Ky është qëllimi. Këta po dëshirojnë të bëjnë diçka të ngjashme po më të butë se s’munden tashmë, sikur me Hashim Rexhepin, që e nxorën duarlidhur prej BQK-së. Prokurorët ua kanë mësyrë krejt ministrave tanë. Prokurorët kanë ardhur në Kryeministri edhe më herët. Unë guxoj t’ju them s’po vij. Ta shohim tash a guxojnë ata të vijnë. Gjithmonë publikisht, s’kam privatisht asgjë”, ka shtuar Kurti.
