Arbëri

Istrefi: Me vrasjen e policit Bunjaku, ka marrë fund ndarja e Mitrovicës

Ramadan Istrefi, banor i Mitrovices

Ramadan Istrefi, banor i Mitrovicës, ka thënë se ai ka protestuar disa herë duke kërkuar që të kthehej në shtëpinë e tij në veri të Mitrovicës pas përfundimit të luftës. Sipas tij, po të riktheheshin të gjithë në shtëpitë e tyre “Ura e Ibrit kurrë nuk do të ishte mbyllur”. 

“Kurrë më i lumtur nuk kam qenë se prej 24 shtatorit 2023. Me vrasjen e dëshmorit Afrim Bunajku çështja e Mitrovicës është kry, sepse më nuk ka ndarje”, ka thënë ai. 

Spahiu: Serbët janë më të qytetëruar, shqiptarët janë më barbarë

Profesori Nexhmedin Spahiu ka konstatuar se serbët janë më të qytetëruar sesa shqiptarët, të cilët i ka konsideruar më primitivë dhe barbarë.

Në “Konfront”, Spahiu ka thënë se serbët i binden ligjit e rregullave, ndërsa shqiptarët janë të panënshtruar.

“Serbët janë më të qytetëruar se ne, ne jemi më primitivë, më barbarë si popull. Ata e respektojnë ligjin e rregullin. Ata në momentin që e kanë pa që nuk është aty policia e Serbisë, por policia e Kosovës, ata i binden atij urdhri. Na as nuk dimë me përdor pushtetin kur e kemi, as nuk i nënshtrohemi pushtetit. Qe 1 vjet, a më shumë vrasje bëhen në qytetet e tjera të Kosovës apo në veri të Kosovës?”, ka thënë ai.

Duke folur më pas, pasi deklarata u bë virale, Spahiu ka dhënë një tjetër shpjegim.

“Qytetërimi tregohet duke respektuar ligjin. Kemi shtetin tonë dhe nuk e respektojmë sa duhet. Po e shohim që kur po e marrim fuqinë ne, sikur tash në veri, shtetin tonë po e respektojnë më mirë sesa na vetë. Kjo tregon qytetërim. Le të kuptohet qysh të donë. Shpeshherë ka qysh ata janë më trima. Po të mos ishin më trima e më të mençur se na, s’do të na mbanin 100 vjet nën pushtet. Po të ishim burra më të mirë e më të mençur e më patriotë do të krijonim shtetin para 200 vjetësh. Duke u bërë më të mençur e më trima, tani e kemi shtetin tonë. Na u desh edhe pak fat, por atë që kemi pasur fat s’po dimë ta vlerësojmë”, ka thënë tutje ai.


Gjinovci i përgjigjet Spahiut

Panelisti i emisionit “Konfront”, Rron Gjinovci, i është kundërpërgjigjur Nexhmedin Spahiut që u shpreh se serbët janë më të qytetëruar e shqiptarët më barbarë.

“Ne e kemi zgjedhë kryeministër dikë që nobelisti i letërsisë, Orhan Pamuk e fton në darkë. Ata e kanë president e kryeministër njerëz që kanë marrë pjesë në krimet e Millosheviqit. Kjo tregon kush është më i qytetëruar e kush më barbar”, ka thënë ai.


Spahiu: Hapja e urës për vetura u hyn në punë vetëm serbëve të veriut

Profesori Nexhmedin Spahiu ka thënë të martën në emisionin “Konfront”, se Ura e Ibrit duhet të hapet, qoftë edhe vetëm për simbolikë.

Sipas tij, kjo vetëm sa do të konfirmonte shtrirjen e sovranitetit të institucioneve të Kosovës në veri.

Sipas tij, hapja për qarkullim të veturave do t'u hynte në punë më së shumti serbëve të veriut.

"Shqiptarët në jug, nuk kanë se si e shfrytëzojnë urën për qarkullim me vetura, pasi andej është bërë shesh dhe nuk ke ku shkon me veturë. Ndërkohë, serbëve u hyn në punë, pasi qasen direkt në rrugën me katër korsi", ka thënë Spahiu.


Shehu kundër hapjes së urës për qarkullim të veturave, jep arsyet

Afërdita Sylaj-Shehu, drejtoreshë e organizatës “CBM” e cila jeton në Mitrovicë të Veriut, është shprehur kundër hapjes së urës së Ibrit për qarkullim të veturave për arsye ekologjike.

Në emisionin “Konfront”, ajo ka thënë se nuk e kupton pse ka debat për hapjen e urës së Ibrit, pasi siç thotë Sylaj-Shehu, për të ajo ka qenë dhe vazhdon të jetë e hapur.

“Këtë e urë e kam kaluar dhe e kaloj vazhdimisht. Ura e Ibrit është mitizu më shumë si ndarje seç në të vërtetë është. Ndarja ekziston më shumë në kokën e njerëzve sesa ekziston në realitet. Unë erdha sot nga Mitrovica dhe njerëz të shumtë e kalojnë atë urë. Ka komunikim, ka kalim të urës. Jam kundër idesë që të hapet ura për qarkullim të veturave në kuptimin ekologjik, në kuptimin që çdo qytet mundohet me i largu veturat nëpër qendër. Nuk e di pse duhet me u hap simbolikisht, kur ajo është e hapur. Për mua, si mitrovicase, ura është e hapur”, ka thënë ajo.


Qytetari i Mitrovicës druan se është humbur mundësia e hapjes së urës

Ramadan Istrefi, i cili jeton në Mitrovicën e Veriut, ka thënë se që pas luftës shqiptarët është dashur të organizoheshin që të ktheheshin në shtëpitë e tyre ku ishin para lufte.

Në “Konfront” të KTV ai ka treguar se zonat ku jetojnë shqiptarët në veri kanë mbetur shumë më të pazhvilluara se pjesët e tjera.

Istrefi druan se Mitrovica e ka humbur mundësinë e hapjes së Urës së Ibrit.

“Për mua si çdo qytetar i Kosovës, Ura i Ibrit do të thotë shumë... ka qenë gjithherë urë që ka kaluar populli shqiptar. Dua ta filloj me një fjalë popullore që thonë, ‘një herë i vjen e mira kah dera njeriut’. Për mua e mira kah dera kurrë kuj nuk i ka ardhur si popullit shqiptar në përgjithësi, e posaçërisht popullit të Kosovës. E mira kah dera na ka ardhë në vitin 99, me hyrjen e KFOR-it në Kosovë na ka ardhë e mira kah dera. Por, gjithmonë iu kam tutë mos nuk po e ndalim atë të mirë. Për mua, është dashtë si jemi kthy prej luftës të organizojmë popullatën e t’i vëmë nëpër shtëpitë e veta, ta kthenim popullatën në vendin e vet. Me rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së pika e parë ka qenë kthimi i qytetarëve nëpër shtëpia e prona të veta. Në atë rast edhe ne po tutem se nuk e kemi shfrytëzuar”. 

“Shumica e banorëve të pjesës veriore, po them te Kroi i VItakut pasi jam aty, ka që jetojnë edhe jashtë Mitrovice sepse nuk kanë mundur të kthehen në shtëpitë e veta. Krejt Kosova është ndërtu, pjesa veriore ka mbetë sot e asaj dite”, ka thënë ai.