Arbëri

Istogasit nuk përkrahen protestën kundër dhunës seksuale

Në qytetin e Istogut, të hënën, është mbajtur protestë kundër ngacmimeve dhe dhunës seksuale në shkolla si dhe kundër dhunës seksuale, fizike e psikologjike në familje dhe në rrethin shoqëror. Por qytetarët, e as vetë nxënësit e kësaj komune nuk iu përgjigjën thirrjes për protestë.

Një grup i nxënësve të gjimnazit dhe shkollës teknike, si organizatorë të protestës, të vetmuar në platonë e monumentit “Ibrahim Rugova” në qendër të Istogut, ngritën zërin e tyre kundër dhunës seksuale ndaj vajzave e grave. Derisa mbanin pankarta në duar me mbishkrimet “Mos i prekni motrat tona”, “Profesor eduko, mos ngacmo”, “Ti nuk je vetëm”, “Ne të dëgjojmë, fol”, “Raporto dhunën”... nxënësit thërrisnin “Ti je femër je e fortë”, “Stop dhunës”, “Dhuna nuk të bënë burrë”.

“Kemi dal këtu të protestojmë për ngacmimet seksuale në rrugë, në punë e mbi të gjitha në shkolla. Dhe kjo, një herë e përgjithmonë për të ngritur zërin e femrave”, u shpreh Andora Pepaj, nxënëse e gjimnazit “Haxhi Zeka” në Istog, një prej nxënëseve organizatore. E këta nxënës nuk kishte ardhur asnjë istogas t’i dëgjonte dhe përkrahte. Kalimtarë të rastit kthenin kokën e vazhdonin tutje, sikurse edhe automjetet që kalonin aty pari. Vetëm një ri u afrua t’i përkrahë me praninë e tij.

“Është për të ardhur keq mospjesëmarrja e njerëzve për diçka që është me rëndësi”, tha ai.

Protestës nuk iu përgjigjën as nxënësit e gjimnazit dhe të shkollës teknike.

KOHA ka tentuar të flasë me disa nxënës në gjimnaz për arsyen pse nuk kanë mbështetur shokët dhe shoqet e tyre në protestë. Por përgjigje nuk jepnin dhe ecnin tutje në heshtje.

Organizatorët kishin shpresuar se do të mblidheshin më shumë nxënës në këtë protestë. Por mospjesëmarrja e tyre në këtë protestës, sipas nxënësve organizatorë, ka treguar mungesën e guximit të tyre që të dalin e të protestojnë publikisht kundër dhunës seksuale dhe fizike, që po ndodh, jo vetëm në shkolla.

Mospërkrahja e kësaj proteste nga istogasit kundër dhunës seksuale e fizike, sipas organizatorëve pasqyron edhe mendësinë që kanë ndaj kësaj teme të ndjeshme. Dy protesta të ngjashme ishin mbajtur javën e kaluar edhe në Pejë dhe Deçan, në të cilat ka pasur mjaftë pjesëmarrës.