Arbëri

Ismet Rraci nderohet me titullin “Nderi i Qytetit”

Nën përkujdesje të kryetarit të Komunës së Klinës, Sokol Bashota, sot në Klinë është mbajtur Akademi përkujtimore në 16- vjetorin e vrasjes së ish- kryetarit të Komunës së Klinës, Ismet Rraci.

Në nderim të veprës së tij atdhetare e arsimore, Ismet Rraci, është nderuar me titullin “Nderi i Qytetit” të Klinës.

Në akademinë e mbajtur me këtë rast, Kryetarin Bashota tha se Rraci mbetet një ndër figurat emblematike të Komunës së Klinës, njeriu i cili tërë jetën e vet ia kushtoi familjes, nxënësve, shkollës dhe atdheut, deri në momentin kur nga një dorë vrastare bie pikërisht në rrugën për të punuar në interes të qytetarëve të kësaj Komune.

“Edhe sot është i freskët kujtimi për Ismet Rracin dhe, si i tillë, do të mbetet në memorien e gjithë shqiptarëve, por gjithsesi se do të mbetet në historinë e shqiptarëve, edhe si njollë e zezë, ngase të shtiesh mbi një atdhetar, patriot, mësimdhënës e familjar nuk ka tjetër emër përpos vepër kriminale”, tha Bashota.

Bashota vlerësoi lartë kontributin që ka dhënë Ish- kryetari i Klinës para dhe pas luftës.

Në 16- vjetorin e vrasjes së Ismet Rracit, janë bërë homazhe dhe vënë kurora lulesh në varrin e tij në fshatin Siqevë dhe pranë bustit të tij në oborrin e Komunës së Klinës, ndërsa në një ceremoni janë zbuluar edhe fotografitë e kryetarëve të Komunës së Klinës nëpër vite.

Në emër të familjes, djali i të ndjerit, Asim Rraci, falënderoi Komunën e Klinës për organizimin e kësaj akademie dhe bëri thirrje te organet e drejtësisë për zbulimin e rastit të vrasjes enigmatike të babait të tij, Ismet Rracit.