Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Ismaili, ka thënë se nuk ka shpresë të madhe se Qeveria Hoti mund të ketë sukses në çështjen për të pagjeturit, në kuadër të dialogut me Serbinë.
Ismaili, që është pjesë e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, ku sot kanë raportuar ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, dhe përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme, është shprehur e zhgënjyer që kryeministri Avdullah Hoti “ka hequr dorë nga raportimi për këtë pikë para deputetëve”.
Në Interaktiv të KTV-së, Ismaili ka thënë se nga zëvendëskryeministri Driton Selmanaj kanë marrë përgjigje “jo të denjë për dikë që është në qeveri”.
“Në kërkesën e parë, drejtuar zëvendëskryeministrit kemi marrë përgjigje që për dialogun ka raportuar kryeministri në Kuvend dhe se është temë e konsumuar. U dakorduam në komision, edhe pse ishte përgjigje jo e denjë për dikë që është në qeveri, dhe e pasaktë për çështjen e dialogut sepse jo që është konsumuar, por akoma e kemi filluar këtë proces. Ka qenë kërkesë për raportim në përgjithësi për dialogun, më shumë për dialogun në Washington e po flisnim edhe për temat e tjera dhe çështja e të pagjeturve është në mandatin tonë dhe u dakorduam të thërrasim një panel tjetër për të raportuar, sidomos ata që ishin pjesë e grupeve teknike në Bruksel. U befasuam për të mirë kur pamë që kryeministri ka konfirmuar pjesëmarrjen e u zhgënjyem mbrëmë kur pamë se ka hequr dorë. Nuk pati arsyetim, pati arsyetim nga MPJ-ja të paktën e mirëkuptuam sepse ishte për arsye shëndetësore”, ka thënë ajo.
Sipas saj, përfaqësuesit që raportuan të martën para deputetëve “dhanë detaje krejtësisht josubstanciale”. Ajo ka thënë se “asnjëri s’arriti të tregonte për sukseset që iu referohej kryeminsitri Avdullah Hoti”.
Ka folur për një koncept-dokument, për të cilin është shprehur se flitej për parimet për çështjen e të pagjeturve.
“Thoshin që një nga parimet ishte të jepeshin informacione të plota për vendndodhjen e të pagjeturve në varrezat masive në Serbi dhe parimi tjetër ishte vendosja e drejtësisë, e ne kërkonim si do të bëhet sepse dikush duhet të japë përgjegjësi shtetërore të një regjimi gjenicodal të Serbisë. E treta, që ishte po ashtu me interes, siç e thanë ata, ishte mbështetja për familjet dhe se këto familje janë në gjendje shumë të rëndë sot, pos mallit që kanë, janë në gjendje të rëndë familjare. Donim të dinim cila është mbështetja për ta”, ka shtuar Ismaili teksa ka theksuar se do të riftojnë Selmanajn për raportim, por edhe koordinatorin nacional për dialogun, Skënder Hyseni.
“Do të doja të besoj që një ekip më i përgatitur, por edhe shpresoj në qëndrim më ndryshe të BE-së, nga ai që kemi parë deri tash, do të mund të përmirësonte këtë situatë deri në një masë të caktuar. Për më tepër, kryeministri e ka përmendur disa herë që pa këtë pikë s’ka marrëveshje gjithëpërfshirëse. Dikush që merr zotim publik para këtyre familjeve dhe qytetarëve të Kosovës, natyrisht që pres nga ky ekip. Nëse s’ndodh ka mënyra të tjera për të kërkuar llogari. Por ata e kanë këtë shans e shpresoj ta kenë menduar mirë, por me aq sa ne pamë dhe aq emra që u shpalosën se janë pjesë përbërëse e këtyre grupeve teknike, unë mendoj se nuk kam substancë për të shpresuar sa duhet”, ka përfunduar për këtë çështje Ismaili.