Arbëri

Ismaili ia hedh fajin Komunës së Prishtinës për spitalin privat në QKUK, nuk e përmend lejen e Thaçit

Foto: Driton Paçarada / Koha

Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, ka mbajtur konferencë për media për publikimin e videove të dyshuara për fajde javën e kaluar në të cilat është përmendur edhe emri i kryeparlamentarit Kadri Veseli.

Sipas tij, në këto video, të publikuara nga Grupi KOHA, është keqpërdorur emri i Kadri Veselit.

“Sot jemi këtu që prapë të theksojmë se PDK-ja kërkon nga organet e rendit dhe të ligjit të reagojnë sa më shpejt ndaj asaj që shihet qartazi që është krim dhe korrupsion. Ajo çfarë ne dhe të gjithë qytetarët kanë parë në këto video është skenë e një skenari korruptiv”, ka deklaruar Ismaili, raporton “Koha Ditore”.

Ai ka shtuar se “afera spitali” është një proces i gjatë që ka filluar në vitin 2003 dhe leja për ndërtimin e tij është dhënë nga Komuna e Prishtinës, gjegjësisht nga kryetari i atëhershëm i saj, Ismet Beqiri.

Por, sipas një dokumenti që e posedon gazeta, shpjegimi i Ismailit nuk qëndron pasi që më 2009, kryeministri i atëhershëm, tash presidenti i vendit, Hashim Thaçi, kishte anuluar vendimin e ish-kryeministrit të atëhershëm, Agim Çeku, i cili e pati ndaluar ndërtimin e spitalit privat brenda hapësirës së QKUK-së.

“Qeveria e Republikës së Kosovës shfuqizon vendimet paraprake të Qeverisë të datës 03.10.2007, të datës 31.10.2007 dhe të datës 12.06.2008 lidhur me ndërtimet private brenda hapësirës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe përkrahë aktvendimin e Kuvendit Komunal të Prishtinës, Departamentit për Ndërtim të datës 03.09.2007”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga ish-kryeministrit Thaçi që mban datën 25 qershor, 2009, vendim të cilin e posedon gazeta “Koha Ditore”.

Image

Funksionalizimi i spitalit është bërë më 2015 kur në bashkëqeverisje kanë qenë LDK-ja dhe PDK-ja.