Arbëri

Ish-zyrtarja Kabashi akuzon kabinetin Totaj për presion dhe kërcënime

Drejtoresha për Punë dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Prizrenit, Vjollca Kabashi, ka dhënë dorëheqjen nga kjo pozitë, duke e akuzuar kabinetin e kryetarit Shaqir Totaj për presion dhe kërcënime. Ajo madje ka theksuar se është detyruar që të nënshkruajë një pagesë të kundërligjshme dhe se për këtë ka njoftuar edhe Njësitin e krimeve ekonomike në Policinë e Kosovës.

Pretendimet e saj janë hedhur poshtë nga kryetari i Komunës, me insistimin se të gjitha veprimet kanë qenë ligjore. E dega e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Prizren është distancuar nga akuzat e ish-drejtoreshës.

Kabashi nëpërmjet rrjeteve sociale ka njoftuar për dorëheqjen e parevokueshme, teksa ka shtuar se gjatë angazhimit të saj, më shumë i është dashur që t’i japë llogari shefit të kabinetit sesa kryetarit të Komunës.

“Andaj shpreh indinjatën time të thellë që nga e enjtja deri të premten në ora 13:20 lidhur me një pagesë, që për mua është e kundërligjshme, duke më shantazhuar e duke më kërcënuar se unë të shkarkoj dhe jam detyruar ta nënshkruaj nën presion dhe kërcënim me urdhra të kryetari Shaqir Totaj, shefit te kabinetit Nehat Elshani dhe drejtorit të Drejtorisë të Shërbimeve Publike, Çelë Lamaj. Pas detyrimit të nënshkrimit nën kërcënim brenda zyrës së kryetarit, i dërgova e-mail përsëri kryetarit, ku lidhur me këtë rast i njoftova dhe u drejtova në stacionin policor ku dhashë deklaratë në njësitin e krimeve ekonomike në Prizren për të gjitha këto parregullsi”, tha Kabashi.

Por kryetari Totaj i ka kualifikuar si insinuata pretendimet e Kabashit. Ai ka thënë se është e lejueshme me ligj që mjetet financiare në kategorinë “Mallra dhe Shërbime” të transferohen nga një drejtori që nuk mund t’i shpenzojë te tjetra dhe se në këtë rast është kërkuar që ato të transferohen në Shërbimet Publike, në mënyrë që të mos shkojnë në suficit.

“Drejtoresha e Mirëqenies Sociale ka refuzuar të respektoj kërkesën time dhe procedurat që do të mundësonin që mjetet t’i shfrytëzojmë e mos të na shkojnë në suficit, sepse do të kishte ndikim negativ në vlerësim të performancës së qeverisjes lokale. Këto mjete ka qenë dashur të alokohen dhe të shkojnë në projekte konkrete, ku do të plotësoheshin nevojat e qytetarëve. Zonja në fjalë ka ngritur dyshime rreth integritetit të stafit dhe drejtorit të Shërbimeve Publike dhe fare pa asnjë argument, ka ngritur dyshime edhe rreth integritetit tim si kryetar i Prizrenit. Ju siguroj se insinuatat rreth kinse një pagese të parregullt fare nuk qëndrojnë”, tha kryetari i Prizrenit, Totaj.

E dega e AAK-së në Prizren, nëpërmjet një njoftimi, ka bërë të ditur se ka nominuar Edmond Hoxhën për drejtor të ri të Punës e Mirëqenies Sociale dhe është distancuar nga akuzat e ish-drejtoreshës Kabashi.

“Pas menaxhimit jo të duhur nga ish-drejtoresha Kabashi dhe pas lirimit të detyrës nga ana e saj, ne në mbledhjen e kryesisë kemi vendosur që këtë drejtori ta udhëheqë z. Hoxha”, thuhet nga AAK, Dega në Prizren.

AAK-ja dhe Partia Demokratike bashkeqeverisin në Komunën e Prizrenit, me ç’rast AAK-ja udhëheq me 3 drejtori komunale.