Arbëri

Ish-zyrtari i PDK-së, do ta vlerësojë garën e këshilltarëve të Pacollit për shërbim diplomatik

Tre ish-këshilltarët e ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli, që synojnë të bëhen pjesë e stafit diplomatik, do të vlerësohen nga ish-kryetari i degës së PDK-së në Suharekë, Blerim Xhemajli.

Me vendim të ministrit të Jashtëm Behgjet Pacolli, Xhemajli është emëruar në krye të komisionit përzgjedhës, raporton KTV.

Xhemajli, aktualisht, udhëheq Departamentin për Financa dhe Shërbime të Përgjithshme në Ministrinë e Jashtme.

“Po unë jam. Nuk muj’ me u deklaru’ kurrgjë, përveçqë mundem me thanë që të gjithë atë që e kemi ba deri tani, e kemi ba në bazë të rregullave dhe ligjeve në fuqi”, ka thënë Xhemajli.

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Fitim Sadiku, ka thënë se procesi i konkursit është duke u zhvilluar konform ligjit, duke përmendur fazat e tjera të tij.

“Blerim Xhemajli, me vendim të ministrit, është caktuar kryesues i komisionit për lista të ngushta dhe testim me shkrim. Pas kësaj faze, ministri krijon panelin profesional për zhvillimin e intervistës me gojë për kandidatët të cilët me sukses kalojnë fazat paraprake, testin me shkrim dhe testin e gjuhëve të huaja”, ka thënë Sejdiu.

Blerim Xhemajli ka qenë edhe ish-kandidat i PDK-së për kryetar të Suharekës, në zgjedhjet e 2017-s.

Por, tash e gati një vit, Xhemajli punon në të njëjtën ministri me vajzën e tij, Doruntinën.

Ajo u punësua asistente e Sekretarit të Përgjithshëm të MPJ-së.

“Nuk e kam punësuar unë vajzën, por e ka punësuar Ministria e Punëve të Jashtme, në bazë të konkursit që është shpallur për asistente te Sekretari, është punësuar qe një vit ose edhe një ose dy muaj i bën një vit”, ka thënë Xhemajli.

KTV-ja ka kontaktuar edhe me Doruntina Xhemajlin, e cila ka kërkuar që për këtë çështje të merret përgjigje nga Sekretari i Përgjithshëm, Fitim Sadiku.

Ky i fundit, përmes një përgjigjeje me shkrim, ka thënë vajza e drejtorit për Financa, u punësua me meritë.

“Zonja Doruntina Xhemajli është punësuar pothuajse qe një vit në MPJ, punësimi është bërë përmes konkursit publik, në bazë të meritës dhe pa ndikime”, ka thënë Sadiku.

Fatmir Haxholli, Liridon Sadria dhe Elena Osmani, që ishin pjesë e kabinetit të Behgjet Pacollit, kanë konkurruar në konkursin për zyrtarë diplomatikë.