Arbëri

Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Bislim Zyrapi, dëshmon në Dhomat e Specializuara

Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, e më vonë edhe ish-këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi, Bislim Zyrapi, ka nisur të hënën dëshminë në Gjykatën Speciale në Hagë, në rastin ku për krime lufte akuzohen ish-udhëheqësit e këtij shtabi.

Prokurorja Clare Lawson e ka pyetur tërë ditën lidhur me çështje që ndërlidhen me vërtetimin se si ka funksionuar UÇK-ja. Ajo i ka shfaqur dokumente dëshmitarit, ndër të cilat edhe një dokument me një nënshkrim, por pa emër e vulë protokolli, ku shkruhet “Nënzonat operative të UÇK-së shpallen zona operative”, si dhe “të bëhet ristrukturimi i Komandave të Zonave Operative”.

 “Këtu flitet për një mbledhje të Shtabit të Përgjithshëm të mbajtur më 12 nëntor 1998, a ka qenë kjo një nga temat që është diskutuar në këtë mbledhje?”, ka pyetur prokurorja e ZPS-së.

 “Po siç e ceka, në takimin që është mbajtur (v.j. është folur) që riorganizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe shtabit po edhe zonave më poshtë dhe  në atë takim është mbajtur (v.j. është folur) që nënzonat të shndërrohen në zona operative”, ka deklaruar Zyrapi.

Në ditën e parë të dëshmisë së tij në rastin ku të akuzuar janë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, ai e përmendi si shef të Shtabit të Përgjithshëm Sokol Bashotën e si komandant të përgjithshëm Azem Sylën. Tha se kur mori pozitën e drejtorit të Drejtorisë Operative në kuadër të Shtabit të Përgjithshëm, të akuzuarit e Speciales, ishin pjesë e tij.

Konfirmoi se paraprakisht u bë edhe një ristrukturim që e ka mbikëqyrur vetë, e që parashihte që disa prej njësive të shkriheshin.

Tha, po ashtu, se vendimi për t’i përcaktuar kufijtë e zonave operative nuk ishte i Shtabit të Përgjithshëm, por u mor në koordinim me komandat e tjera.

 “Të gjithë kufijtë janë bashkërenditur së bashku, jo vetëm nga qendra por edhe me komandantët e zonave, varësisht prej asaj se si ka qenë situata dhe si është gjendja në terren”, u shpreh Zyrapi.

Prokurorja Lawson e pyeti nëse ishin edhe vetë anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, përfshirë Rexhep Selimin në komisionin që u mor me çështjen e kufijve të zonave, por përgjigjja e tij nuk u dëgjua në transmetim.