Janë bërë 33 vjet që kur, me masa të dhunshme nga forcat serbe, është ndërprerë programi i Radiotelevizionit të Prishtinës. 5 korrikun e vitit 1990, ish-punëtorët e RTP-së e kujtojnë tani si ditë të vështirë për ta dhe për të gjithë popullin
5 korriku i 1990-s, për Haki Jashanicën ishte dita më e rëndë që ka përjetuar në karrierën e tij si punëtor i medias.
Ai ishte në krye të detyrës si regjisor i programit ditor në Radiotelevizionin e Prishtinës, ditën kur ky medium u mbyll dhunshëm nga forcat serbe, 33 vjet më parë.
Mbi tri dekada pas ngjarjes, ai e përshkruan ballafaqimin që e pati me forcat serbe, kur dhjetëra syresh hynë në objekt.
“Janë kanë lajmet e orës 3 e 15, janë fut forcat serbe në zyrën time së pari... pse unë me ndërpre programin, kush po ju jep juve leje të futeni këtu. Këtu nuk bën me hy se këtu transmetohet programi edhe këtë moment ishte tu shku live lajmet, edhe aty jo me pak... nja 2 orë e gjysmë jam ballafaqu me ta”, ka thënë Jashanica.
E gazetari Nuhi Bytyqi, që po punonte në një storie për deputetët shqiptarë në Kuvendin e Serbisë, thotë se gjatë ditës pati indikacione që mbyllja e RTP-së ishte rezultat i dështimit të Serbisë për të ushtruar ndikim në mënyrën e raportimit.
“Ne nuk kemi pranuar kurrsesi që të punojmë sipas diktatit të Beogradit, kështu që, të gjithë punëtorët e televizionit të Prishtinës, të radios, të Rilindjes i kanë kundërshtuar këto masa dhe kemi punuar në mënyra të ndryshme për informimin e opinionit”, ka deklaruar Bytyqi.
Lajmet e fundit në RTP u kumtuan nga moderatorja Nazmije Veseli. Në edicionin e orës 15:00, ajo tregoi se pati vërejtur pengesa në transmetim.
“Pas asaj, kur dola unë, më priti me automat një polic ushtarak i veshur në dhëmbë edhe me aq sa kish njeri po lufton i morra tekstet edhe i futa në çantë... nuk mundesh lart, më dërgoi me një vend ku ishin koleget e mia”, ka thënë Veseli.
Mbylljen e RTP-së, punëtorët e asaj kohe e kualifikuan si rrethanë që e la popullin e Kosovë në terr informativ.
“Kosova, nga 5 korriku e tutje ka qenë në një terr informativ, nuk kishte asnjë medium tjetër në gjuhën shqipe”, ka shtuar Bytyqi.
“Shumë ka pasur efekt negativ. Televizioni i Prishtinës me të vërtetë ka qenë dritarja e informimit të popullit shqiptar, ka qenë me program shumë të pasur, ka qenë bombë atomike për popullin shqiptar”, ka potencuar Jashanica.
Mbyllja e Radiotelevizionit të Prishtinës ndodhi tri ditë pasi delegatët shqiptarë të Kuvendit, nëpërmjet miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut, i hapën rrugën shpalljes së Kosovës Republikë.