Arbëri

Ish-polici serb i dënuar për dhunim do të gjykohet edhe për shumë krime lufte

Një proces i ri gjyqësor ka nisur ndaj Zoran Vukotiqit, të cilit në të gjitha shkallët i është konfirmuare dënimi për dhunim gjatë luftës. Në procesin e ri gjyqësor ai përballet me akuzat për një tjetër dhunim, për pjesëmarrje në Masakrën e Studimes, si dhe për një numër vrasjesh të civilëve, përfshirë edhe vrasjen e një 13-vjeçari

Ish-pjesëtari i policisë serbe, Zoran Vukotiq, i dënuar me 13 vjet burgim për dhunim seksual gjatë luftës, ka dalë në seancë statusore para Gjykatës Themelore në Prishtinë. 

Krahas dënimit për këtë krim lufte, Vukotiq akuzohet edhe për mizori të tjera, përfshirë pjesëmarrjen në Masakrën e Studimes, për vrasjen e një 13-vjeçari, si dhe për një rast tjetër dhunimi.

Gjykata ka aprovuar propozimin e avokatit të tij, Nebojsha Vlajiq, për t’i bashkuar katër lëndë gjyqësore për krime lufte, ku ai është i akuzuar. Si argument për bashkimin e lëndëve Vlajiq përmendi rastin më të madh në Gjykatën Speciale, ku u janë bashkuar disa lëndë të akuzuarve Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

“Mund ta përmendim edhe rastin më të ri te Dhomat e Specializuara në Hagë. Është gjykatë e Kosovës... Akuzohen për gjashtë pika për krime kundër njerëzimit dhe për katër krime lufte. Por është një procedurë dhe do të jetë një aktgjykim... Unë nuk shoh asnjë problem teknik”, ka thënë avokati

Nebojsha Vlajiq, tek ka arsyetuar nevojën për bashkimin e rasteve të reja për të cilat akuzohet Vukotiqi.

Trupi gjykues e ka aprovuar kërkesën.

“Tani ndaj të akuzuarit Zoran Vukotiq, për të gjitha këto çështje penale do të zhvillohet një procedurë e vetme”, ka thënë Rrahman Beqiri, kryetar i trupit gjykues.

Jo i gjithë procesi i ri gjyqësor ndaj Vukotiqit do të jetë i hapur. Këtë e bëri të ditur edhe prokurori i rastit, meqë një pjesë e aktakuzës ka të bëjë me përdhunimin si krim lufte, vepër kjo penale në të cilën seanca duhet të jetë e mbyllur.

“Lënda me numër PPS 35/2020 ka të bëjë me natyrë të veprës penale e cila duhet të jetë me dyer të mbyllura”, ka thënë Florie Salihu-Shamolli, prokurore speciale.

Zoran Vukotiqit i është konfirmuar dënimi për dhunim gjatë luftës prej të gjitha shkallëve të gjyqësorit. 

E, nga tetori ai do të gjykohet për krime të tjera lufte, akuza këto të elaboruara në tri raste, por që gjykata vendosi t’i bashkojë.

Rasti i parë përmban akuza për vrasje brutale, trajtim çnjerëzor, terror e plaçkitje ndaj karvanit të civilëve të zhvendosur në Studime të Epërme e atë  të Poshtme, mes datave 2 dhe 3 maj 1999, si dhe për përfshirje në Masakrën e Studimes, në të cilën u vranë 116 civilë shqiptarë. 

I dyti përmban akuzën për vrasjen e katër civilëve shqiptarë dhe keqtrajtimin e 18 të tjerëve në Vushtrri më 5 maj 1999.

Ndërkaq rasti i tretë e ngarkon Vukotiqin me akuzën për vrasje të 13-vjeçarit Burim Muli. 

Ai pritet të gjykohet fillimisht edhe për dhunë seksuale gjatë luftës në rajonin e Vushtrrisë. 

Seanca e shqyrtimit fillestar është caktuar për datën 14 nëntor.