Arbëri

Ish-objekti i QMF-së në Banullë rrezikon gjashtë anëtarët e familjes së strehuar aty

Një familje që i përket komuniteti ashkali në Lipjan, prej më shumë se një viti jeton në hapësirat e objektit të ambulancës së mbyllur në Banullë të Lipjanit. Kryefamiljarja thotë se jeton me frikën nga shembja, shkaku i degradimit të objektit, e autoritetet komunale nuk u dhanë shpresë për sigurimin e strehës.

Familja gjashtanëtarëshe e Xhejlane Malokut nga Lipjani prej më shumë se një viti është strehuar në ish-objektin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në fshatin Banullë. Objekti që Komuna e mbylli shtatë vjet më parë shkaku i mungesës së stafit, tani është degraduar.

Anëtarët e familjes me kushte të rënda ekonomike e që pa pëlqimin e Komunës janë strehuar në objektin e ambulancës, thonë se janë të rrezikuar nga shembja.

“Qe 17 vjet kam jetuar nëpër shtëpia të huaja. Më shumë kam jetuar në Lipjan nëpër shtëpia të huaja, kurse qe 1 vit jam duke jetuar në Gllogovc. Këtu më së shumti kemi problem prej ujit, sepse uji po na vërshon shtëpinë sa herë që po bie shi”, ka thënë Maloku.

Ajo tregon se Komuna ka kërkuar nga familja ta lirojë objektin, por thotë se deri tash nuk ka gjetur strehim tjetër.

“Kemi qenë në Komunë, ata po na thonë sikur të kishim vendin jua ndërtojmë shtëpinë, por ne nuk i kemi kushtet me ble vendin... S’kam ku të shkoj, se nga dëshira nuk kisha nejt këtu, po kam fëmijë”, ka thënë ajo.

Autoritetet lokale në Lipjan thanë se janë në proces për t’i bërë zgjidhje strehuese kësaj familjeje që i përket komunitetit ashkali.

“Ne e kemi adresuar te Qendra për Punë Sociale, ata e kanë bërë vizitën dhe e kanë bërë raportin dhe jemi duke e proceduar te sektorët relevantë. Me nis sa njeri bën uzurpime dhe Komuna me i dhënë strehim nuk kemi se si t’ia bëjmë. Nuk po mund të flas më shumë, sepse nuk po dua ta dëmtoj procesin, pasi është shumë e ndërlikuar dhe shumë e ndjeshme”, ka thënë drejtori i Shëndetësisë, Shkelzen Hajdini.

Ndërkaq, në Qendrën për Punë Sociale thanë se familjes Maloku i është ofruar ndihmë, por jo edhe strehim.

“Qendra për Punë Sociale bën vetëm strehime emergjente në raste të dhunës edhe pse ato e kanë një afat të caktuar se për proces të riintegrimit duhet të shikohet se a ka pronë, por QPS-ja nuk ofron strehim se nuk e ka në mandat”, ka thënë Makfirete Shamolli, drejtoreshë e QPS-së.

Xhejlane Maloku thotë se nuk di ku të gjejë strehë nëse e largojnë nga objekti i ish-ambulancës. Ajo u ankua se muaj më parë Komuna ndau disa banesa për familjet skamnore, porse ajo nuk përfitoi.