Arbëri

Ish-nënkryetari i Odës së Stomatologëve akuzon kryetarin se e shkarkoi pasi refuzoi nepotizmin

Ish-nënkryetari i Odës së Stomatologëve ka akuzuar kryetarin e saj se e shkarkoi nga pozita për inate personale. Ish-zëvendëskryetari Kastriot Meqa në komunikimet me Odën, ka ngritur dyshime se shkarkimi i tij ndërlidhet me pozitën e tij menaxheriale në Qendrën Klinike Stomatologjike Universitare, përkatësisht pse refuzoi t’i hapë rrugë punësimit të vajzës së kryetarit në QKSUK. Oda e Stomatologëve ka hedhur poshtë këto pretendime, e kryetari i saj tha se nuk ka çfarë të shtojë

Para gati dy javësh, kryetari i Odës së Stomatologëve, Blerim Kamberi, ka shkarkuar Kastriot Meqën nga pozita e zëvendëskryetarit, pozitë që e mbante prej vitit 2019.

Në vendimin e 22 shkurtit, që KOHA e ka siguruar, nuk janë dhënë arsyet e lirimit nga pozita.

E në komunikimet elektronike mes Odës dhe Meqës, që po ashtu i posedon KOHA, Meqa ka ngritur dyshime se shkarkimi i tij ndërlidhet me pozitën e tij menaxheriale në Qendrën Klinike Stomatologjike Universitare dhe se ka të bëjë me nepotizëm.

“Dyshimi im për arsyen e shkarkimit tim mund të jetë që kryetarit të Odës nuk iu është plotësuar një kërkesë për shpalljen e konkursit për pranimin e specialistëve në Klinikën ku ai punon (aktualisht me pozitë të pezulluar sipas funksionit në OSK), e që në këtë pozitë të punësohet vajza e tij. Në këtë klinikë, si edhe në disa të tjera brenda QKSUK-së, ka pasur mbipopullim me mjekë specialistë nga menaxhmenti paraprak. Rekrutimi i personelit mjekësor bëhet në bazë të nevojave, e jo dëshirave”, ka shkruar Meqa teksa iu është drejtuar Odës.

Meqa nuk pranoi të prononcohet për rastin.

“Një tregues tjetër i dyshimit tim është edhe ndërprerja e komunikimit zyrtar dhe jozyrtar nga ana e kryetarit me mua për mbi dy muaj, që nga momenti kur ai ka kuptuar se është e pamundur që nga ana ime si drejtor i QKSUK-së të kërkohet shpallja e konkursit për këtë pozitë”, ka shkruar tutje ai.

KOHA ka dërguar pyetje në Odën e Stomatologëve dhe në adresën elektronike të kryetarit Blerim Kamberi, lidhur me pretendimet e Meqës dhe se pse në vendimin për lirim nga pozita e nënkryetarit nuk janë përmendur arsyet.

Në përgjigje, Oda ka hedhur poshtë pretendimet e Meqës, e ka thënë se shkarkimi u bë si pasojë e humbjes së besimit për të ushtruar funksionin e nënkryetarit.

“Propozimi për emërim dhe lirim janë në të drejtën ekskluzive të kryetarit të Odës, dhe lirimi nga detyra e ish zv.kryetarit z. Meqa është bërë po në të njëjtën procedurë siç është bërë edhe emërimi i tij. Kryetari i OSK-së ka bërë këtë propozim pas konstatimit se i njëjti ka humbur besimin për të ushtruar këtë funksion, të cilin besim ia kishte dhënë me rastin e propozimit të tij për zv.kryetar. Çdo pretendim për motive të tjera është i pabazuar, i ulët, jo i sinqertë dhe për më tepër konfirmon edhe më bindshëm që humbja e besimit ndaj punës së tij ka qenë e drejtë dhe e arsyeshme”, kanë thënë në Odën e Stomatologëve.

KOHA ka kontaktuar me kryetarin e Odës, Blerim Kamberi, edhe përmes telefonit. Ai ka thënë se nuk ka çfarë të shtojë më shumë sesa në përgjigjen me e-mail të Odës.