Arbëri

Ish-ministrja Dhurata Hoxha lirohet sërish nga akuzat për korrupsion

Dhurata Hoxha

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka liruar ish-ministren Dhurata Hoxha dhe tre të akuzuar të tjerë nga akuzat për korrupsion. Kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, tha se nuk është vërtetuar se të pandehurit e kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen përgjatë 16 seancave të shqyrtimi gjyqësor.

Më 12 maj 2022 Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare kundër Dhurata Hoxhës, ish-ministre e Integrimeve Evropiane, Fitim Mustafës, zyrtar i prokurorimit në këtë ish-ministri, Gëzim Dushit menaxher i kontratave me kompanitë e marketingut, si dhe Ekrem Tahiri bashkëpronar dhe drejtor i kompanisë “PR Solutions” për ndihmë në kryerjen e keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Organi i akuzës pretendon se Hoxha përdori paranë publike të ndarë për fushatë informuese lidhur me procesin e liberalizimit të vizave dhe për Marrëveshjen për Stabilizim-Asocim duke e financuar fushatën e saj për zgjedhjet e 2019-s. Fitim Mustafa, sipas aktakuzës, si zyrtar i prokurimit, i ka ndryshuar kriteret e tenderit ashtu që të fitojë kompania për mbi 192.000 më e shtrenjtë. Lidhur me Dushin, prokuroria pretendon se “Shërbime të informimit publik për nevojat e MIE-së” ka lejuar të pranoheshin punët e të kryheshin pagesa, duke e ditur se kontata me operatorin ekonomik po shkelej.

Ndërsa për Tahirin, akuza është se nuk i ka kryer shërbimet në përputhje me kushtet kontratës.