Ministri në Qeverinë e Kosovës, Ivan Todosijeviq, masakrën e 45 civilëve shqiptarë nga forcat serbe në Reçak, e ka quajtur trillim.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal nga Lista Serbe, ka thënë gjithashtu se shqiptarët janë terroristë, raporton KTV.
Këtë deklaratë, Todosijeviqi e ka bërë në Zveçan gjatë shënimit të 20-vjetorit të bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe, transmetuar në Zërin e Amerikës, edicioni në gjuhën serbe.
“Shkak për agresionin në vendin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi, Reçaku i trilluar, dhe ishin pikërisht ata, shqiptarët terroristë, të cilët e kanë trilluar gjithë këtë, kanë kryer krimet më të rënda në Kosovë e Metohi, për të cilat deri në ditën e sotme, askush nuk është përgjigjur. Kanë kryer krime para agresionit të NATO-s, vranë serbë të mirë shtëpiakë dhe policë në vendet e tyre të punës. Fushatën e tyre të përgjakshme e vazhduan edhe gjatë agresionit dhe pas të ashtuquajturit misionit paqësor në Kosovë e Metohi”, ka thënë ai.
Pas kësaj deklarate, kryeministri Ramush Haradinaj, e ka shkarkuar ministrin nga Lista Serbe, Ivan Todosijeviq.
Në vendimin për shkarkim, Haradinaj ka thënë se në qeverinë që ai udhëheq nuk do të ketë vend për askënd që fyen dhe shpërfaq gjuhë të urrejtjes, duke përmendur edhe fyerjen që ai ka bërë ndaj viktimave të Reçakut.
“Është e patolerueshme një gjuhë e tillë e urrejtjes nga ministri në fjalë. Është e pakuptimtë se si një deri sot koleg i yni shprehet me aq injorancë, urrejtje dhe fyerje për viktimat e Reçakut, viktimat e tjera të regjimit të Millosheviçit dhe akceptimin dhe miratimin që ai i bëri terrorit të këtij regjimi. Kjo nuk arsyetohet. Në Qeverinë që unë e drejtoj, nuk do të ketë vend për askënd që në çfarëdo mënyre fyen të tjerët në bazë etnike, racore, fetare apo tjetër, e as ata që synojnë të akceptojnë politikat e tilla. Vendimi hyn në fuqi menjëherë”, ka thënë ai.
Todosijeviq ishte emëruar në këtë post për herë të parë nga ish-kryeministri Isa Mustafa, në prill 2017.
Në atë kohë, KTV-ja raportoi se si Todosijeviq ishte njëri nga ideatorët e projektit Lugina e Diellit, që po vazhdon së ndërtuari në Zveqan.
Në përurimin e këtij projekti Todosijeviq kishte thënë se Kosova është pjesë e Serbisë, dhe se angazhimi i tij dhe i Beogradit është kthimi i të gjithë serbëve në Kosovë. Ai ka qenë pjesë e bllokimit të rrugëve në veri.
Ndërkaq, dy javë më parë, kryeministri Haradinaj, e ka shkarkuar zëvendësministren e Drejtësisë, po nga radhët e Listës Serbe, Vesna Mikiq.
Ish-zëvendësministrja Mikiq, bombardimet e NATO-s i kishte quajtur gjenocid të planifikuar.